"Shqipëria nuk përmbush reformat, 228 milionë euro pezull"
Raporti i KLSH-së konstaton vonesa në përfitimin dhe disbursimin e fondeve të parashikuara nga Plani i Rritjes së BE-së për Shqipërinë, për shkak të mospërmbushjes së një pjese të reformave të kërkuara.

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për zbatimin e Buxhetit të Shtetit 2025 tregon se Shqipëria nuk ka arritur të përfitojë në kohë të gjitha fondet e parashikuara nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian. Nga financimi i përgjithshëm prej rreth 922 milionë eurosh, deri në fund të vitit 2025 ishin disbursuar 76.2 milionë euro në formën e mbështetjes buxhetore. Ndërkohë, për komponentin prej rreth 228.5 milionë eurosh, të parashikuar për financimin e projekteve, nuk ishte realizuar asnjë disbursim, për shkak të mosfinalizimit të marrëveshjeve me Bankën Europiane të Investimeve (EIB) dhe Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD).
Auditimi i Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Shqipërinë ka konstatuar vonesa në përfitimin dhe disbursimin e fondeve të parashikuara, si pasojë e mospërmbushjes së disa masave të reformës, kryesisht në fushat e qeverisjes së ndërmarrjeve shtetërore, klimës së biznesit, energjisë, sigurisë kibernetike, sistemit gjyqësor dhe transparencës së financave publike. Marrëveshja e Huasë për “Lehtësinë e Reformës dhe Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor” (RGF) është ratifikuar me ligjin nr. 18/2025, datë 13 mars 2025, dhe parashikon një financim maksimal në formën e huasë prej 657,458,743.67 euro.
KLSH rendit edhe fushat ku janë evidentuar mospërmbushje, si qeverisja e ndërmarrjeve shtetërore, lehtësimi i procedurave administrative dhe reformimi i sistemit të inspektimeve për bizneset, digjitalizimi dhe lehtësimi i transportit dhe tregtisë, integrimi i tregut të energjisë elektrike, përafrimi i legjislacionit për burimet e rinovueshme dhe eficiencën energjetike, forcimi i sigurisë kibernetike, përmirësimi i transparencës dhe eficiencës së sistemit gjyqësor, si dhe transparencën e financave publike.
Deri më 31 dhjetor 2025, në formën e mbështetjes buxhetore ishin disbursuar 76,238,776.49 euro, duke e çuar shumën e përgjithshme të mbështetjes buxhetore të arkëtuar në 99,018,032.73 euro. Një tjetër gjetje e KLSH-së lidhet me komponentin për financimin e projekteve nëpërmjet Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), me vlerë 228,466,913.43 euro, për të cilin nuk ishte realizuar asnjë disbursim.