Policia holandeze ofron 20 mijë euro për kapjen e 41-vjeçares serbe, dy tatuazhet që mund t’a identifikojnë
Policia holandeze ka nisur një kërkim ndërkombëtar për 41-vjeçaren Ninoslava Jović, e dyshuar për përfshirje në një prej grabitjeve më të mëdha të bizhuterive në Evropë.

Policia holandeze ka nisur një kërkim ndërkombëtar për 41-vjeçaren Ninoslava Jović, e dyshuar për përfshirje në një prej grabitjeve më të mëdha të bizhuterive në Evropë. Ajo është përfshirë në listën e personave më të kërkuar në Evropë dhe policia ofron 20 mijë euro për informacionet që mund të çojnë në arrestimin e saj. Jović është parë për herë të fundit në Nish, por autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që ajo të ketë udhëtuar drejt vendeve të tjera. Policia ka publikuar përshkrimin fizik të Jović, duke iu referuar syve të kafes, flokëve natyralisht kafe ose të lyer në bionde, buzëve të plota dhe dy tatuazheve në parakrahë. Ajo ka të tatuazhuar emrin “Selena” në krahun e djathtë dhe fjalën “Faith” në të majtin. Kërkohen edhe dy gra të filmuara pas grabitjes, të cilat ndodheshin në automjetin tip Opel që dyshohet se përdorën autorët pas vjedhjes. Policia thekson se nuk i konsideron ato të dyshuara për grabitjen, por kërkon t’i marrë në pyetje, pasi mund të kenë informacione të rëndësishme për identifikimin dhe lokalizimin e personave të arratisur. Grabitja me çekiçë u vodhën bizhuteri me vlerë 40 milionë euro. Katër burra, të cilët ishin paraqitur si vizitorë të zakonshëm, iu afruan stendës ku ekspozoheshin bizhuteritë luksoze dhe më pas përdorën çekiçë për të thyer vitrinat prej xhami dhe për të marrë sendet me vlerë. Dëmi i përgjithshëm vlerësohet në rreth 40 milionë euro. Mes sendeve të vjedhura ishte edhe një gjerdan me diamant të verdhë, me vlerë rreth 27 milionë euro. Një pjesë e vogël e bizhuterive të grabitura është gjetur më vonë në Hong Kong, Izrael dhe Botsvanë. Prokuroria holandeze vijon t’u bëjë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e të kërkuarve. Edhe kompania e sigurimeve ka ofruar një shpërblim deri në 600 mijë euro për informacione që do të çonin në gjetjen dhe rikuperimin e bizhuterive të vjedhura.