Policia e Tiranës vijon me gjobat për tubimet në bulevardin "Dëshmorët e Kombit"
Policia e Tiranës ka plotësuar 36 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative për 36 protestues që bllokuan rrugën në bulevardin "Dëshmorët e Kombit".

Policia e Tiranës ka vazhduar me gjobat për tubimet në qendër të kryeqytetit. Në zbatim të Aktit Normativ për tubimet, policia ka plotësuar 36 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative për 36 protestues që bllokuan rrugën në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" dhe në rrugën e Durrësit.
Gjatë tubimit, këta shtetas kanë bllokuar rrugën, duke penguar qarkullimin e mjeteve të transportit. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë për lirimin e rrugës, nuk u janë bindur këtyre thirrjeve. Për secilin është vendosur masa e gjobës në vlerën 5 000 lekë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.