Dy shtetas arrestohen për vjedhje me dhunë dhe grabitje në një pikë karburanti në Mat
Dy shtetas, njëri 22-vjeçar dhe tjetri 21-vjeçar, u arrestuan për vjedhje me dhunë dhe grabitje në një pikë karburanti në Klos, Mat.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat morën njoftim se dy shtetas të paidentifikuar kishin ushtruar dhunë ndaj punonjësit të një pike karburanti dhe kishin vjedhur xhiron e turnit. Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Mat dhe ato të DVP Dibër organizuan punën për zbardhjen e rastit dhe identifikimin e autorëve.
Pas hetimeve intensive, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër identifikuan dy autorët të dyshuar të ngjarjes. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Koordinimi”, në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Nr. 1 dhe Nr. 6 Tiranë, u bë kapja dhe arrestimi i dy shtetasve, J. L. dhe M. D. Nga veprimet hetimore, dyshohet se këta dy shtetas kanë ushtruar dhunë ndaj punonjësit të karburantit dhe më pas i kanë vjedhur xhiron e turnit. Materialet procedurale u referuan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, e kryer në bashkëpunim.