Protestuesit e PD-së boshatisin Rrugën e Durrësit, pas përplasjeve me demokratët dhe policinë
Protesta e tretë kombëtare e Partisë Demokratike në mbështetje të studentëve nisi e qetë dhe me strategji të re, por qetësia u prish nga provokimet e disa qytetarëve.

Protesta e tretë kombëtare e Partisë Demokratike në mbështetje të studentëve nisi e qetë dhe me strategji të re. Deputetët bënë një hap pas, ndërsa të rinjtë e forumit i prinë marshimit. Qetësia e bulevardit, por edhe e demokratëve, u prish nga ky qytetar, i cili provokoi mbështetësit e PD-së me thirrjet “Berisha në burg”. Ky nuk ishte incidenti i vetëm. Me një parullë ku shkruhej “Rama në burg, Berisha në burg”, studentët ua bënë të qartë demokratëve se ishin të paftuar në protestën e tyre para Ministrisë së Arsimit. Ndonëse nuk ishte student, një qytetar u kërkoi demokratëve të qëndronin larg studentëve. Kundërpërgjigjja e demokratëve ishte e ashpër. Përzunë dhunshëm edhe qytetarin e dytë që i provokoi. Deputetët demokratë nuk u larguan, por qëndruan në fund të protestës, duke vëzhguar nga larg mbështetësit që përplaseshin me ata që kërkonin që kryetari i tyre të ishte në burg. Rreth ores 15:40 protestuesit u vunë flakën dy kazanëve të mbeturinave, policia u përgjigj me spraj dhe gaz lotsjellës.