"Britania e Madhe rrëzon ankesën e shqiptarit për ekstradim: "Nuk ishte viktimë e trafikimit"
Gjykata britanike ka rrëzuar ankesën e një 28-vjeçarit shqiptar për ekstradim në Shqipëri, pasi pretendimet e tij për të qenë viktimë e trafikimit dhe detyruar të punonte në fermat e kanabisit nuk u konsideruan të besueshme.

Një 28-vjeçar shqiptar, i dënuar në Britaninë e Madhe për përfshirje në kultivimin e kanabisit, ka humbur betejën ligjore kundër ekstradimit në Shqipëri. Gjykata britanike ka rrëzuar pretendimet e tij se kishte qenë viktimë e trafikimit dhe ishte detyruar të punonte në fermat e kanabisit.
Pretendimet e tij u rrëzuan pasi ish-partnerja e tij paraqiti autoriteteve fotografi nga rrjetet sociale, të cilat tregonin një tjetër histori të jetës së tij në Britani. Fotografitë tregojnë Hazizaj duke i propozuar martesë partneres së tij në Mançester, duke marrë pjesë në një festë beqarie në Uells dhe në ceremoninë e diplomimit të saj në Swansea gjatë vitit 2024.
Gjykata britanike ka arritur në përfundimin se pretendimet e 28-vjeçarit nuk ishin të besueshme dhe se e kishte sajuar të gjithë historinë e tij. Gjyqtari Chris Cole ka deklaruar se ankuesi nuk ka arritur të provojë se rrëfimi i tij për ngjarjet ka gjasa të jetë i vërtetë dhe se nuk e pranon si të besueshme që ankuesi të jetë trafikuar në Britaninë e Madhe dhe të jetë detyruar të punojë në fermat e kanabisit.
Sipas raportimit të medias britanike, Hazizaj nuk ishte paraqitur në seancën gjyqësore të 28 tetorit dhe nuk është lokalizuar përmes ish-partneres dhe studios ligjore që e kishte përfaqësuar më parë.