Fermerët e Myzeqesë kërkojnë kulturë më fitimprurëse, batha zë vendin e grurit
Fermerët e Myzeqesë kërkojnë kulturë më fitimprurëse për të rritur fitimet e tyre, duke kërkuar një alternativë për grurin.

Kultura e bathës po kthehet në një nga alternativat kryesore për fermerët e fushës së Tërbufit në Myzeqe. Ulja e sipërfaqeve të mbjella me grurë ka detyruar prodhuesit vendas të kërkojnë kultura më fitimprurëse dhe me kosto më të përballueshme. Vetëm gjatë 5 viteve të fundit, sipërfaqja e mbjellë me grurë ra nga 12 mijë hektar në vetëm 2300 hektarë vitin e kaluar. Prej dy javësh, në zonën e Tërbufit vazhdon me ritme të larta mbjellja e bathës, kulturë që përdoret gjerësisht në industrinë ushqimore, përpunimin bujqësor, si dhe për konsum. Për fermerët që kanë zgjedhur ta kultivojnë, avantazhet ekonomike janë të dukshme. Kostoja e prodhimit për një hektar të mbjellë me bathë është 25 përqind më e ulët se ajo e grurit. Sezonin e kaluar, një kilogram bathë e thatë është shitur nga 1500 deri ne 2000 lekë te vjetra. Ndryshimet e theksuara klimatike dhe faktorët e tregut po luajnë një rol kyç në këtë transformim, ndërsa për fermerët e Myzeqesë shtimi i sipërfaqeve të mbjella me bathë mbetet një zgjidhje racionale.