Transporti publik në Shqipëri: Shoqata e transportit kërkon lehtësira fiskale
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas ka kërkuar lehtësira fiskale për transportin publik në Shqipëri, duke argumentuar se rritja e barrës fiskale do të bëjë çmimin e biletës dhe abonimit të transportit publik të rëndë.

Rreth 450 deri në 500 mijë qytetarë në të gjithë vendin përdorin transportin publik, por kostoja e këtij shërbimi dhe barra fiskale mbi operatorët rrezikojnë të bëhen edhe më të rënda. Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas ka kërkuar një paketë kërkesash për lehtësira fiskale në letrën e drejtuar Kuvendit për diskutimet për buxhetin dhe paketën fiskale të vitit 2027.
Operatorët kundërshtojnë rritjen e propozuar të TVSH-së nga 20 në 21% dhe kërkojnë që transporti publik të përfitojë një normë të reduktuar prej 6% duke e konsideruar atë shërbim bazë për familjet. Shoqata vlerëson se çdo rritje shtesë e barrës fiskale mbi transportin publik duhet të analizohet në raport me ndikimin te qytetarët dhe aftësinë financiare të operatorëve.
Përveç uljes së TVSH-së, shoqata kërkon përjashtimin e autobusëve të licencuar nga taksa e re vjetore e qarkullimit si dhe përjashtimin nga akciza të karburantit të përdorur për transportin publik ose krijimin e një skeme rimbursimi. Argumenti i operatorëve është se ndërsa kostot e karburantit, pagave dhe mirëmbajtjes rriten ata nuk mund të ndryshojnë në mënyrë të njëanshme çmimin e biletës dhe abonimit. Për këtë arsye kërkojnë nga Kuvendi një seancë dëgjimore dhe analizë të posaçme të efekteve që paketa fiskale e vitit të ardhshëm mund të ketë mbi sektorin dhe qytetarët.