Shteti nuk mund të tërhiqet përpara dhunës
Protesta është një e drejtë e qytetarit, por nuk është një pushtet mbi ligjin. Shteti nuk mund të tërhiqet përpara dhunës dhe duhet të garantojë ligjin dhe sigurinë e të gjithëve.

Protesta është një e drejtë e qytetarit, por nuk është një pushtet mbi ligjin. Shteti nuk mund të tërhiqet përpara dhunës dhe duhet të garantojë ligjin dhe sigurinë e të gjithëve. Kushtetuta e Shqipërisë garanton të drejtën e tubimeve paqësore dhe pa armë, por nuk i jep askujt të drejtën të zëvendësojë ligjin me forcën e turmës.
Në një republikë parlamentare, qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve dhe mekanizmave kushtetues, jo përmes sulmeve ndaj institucioneve. Opozita ka të drejtën dhe detyrimin të kundërshtoj qeverinë të kërkojë largimin e saj dhe të organizojë protesta, por nuk ka të drejtë të vendosë mbi ligjin, të marrë peng hapësirën publike apo të krijoj një autoritet paralel në rrugë.
Shteti nuk mund të rri spektator përballë dhunës dhe duhet të mbrojë institucionet, qytetarët dhe pronën publike. Gjuajtja me gurë ndaj policisë, sulmet ndaj institucioneve, zjarrvënia dhe shkatërrimi i pronës nuk janë akte politike, por duhet të hetohen dhe të marrin përgjigjen ligjore përkatëse.
Nuk mund të ketë tolerancë politike për shkeljen e ligjit dhe as selektivitet në zbatimin e tij. Ata që kryejnë akte dhune duhet të mbajnë përgjegjësi individuale, pavarësisht bindjeve politike apo pozicionit të tyre në një protestë. Por edhe autoriteti i shtetit ka kufij: policia duhet të veprojë në bazë të ligjit, me proporcionalitet dhe pa cenuar protestuesit paqësorë.
Shqipëria është një shoqëri që ka dalë nga diktatura dhe që ende nuk ka ndërtuar kulturën e shtetit, përgjegjësinë qytetare dhe respektin për institucionet. Nuk mund të ndërtojmë demokraci duke e trajtuar shtetin si armik dhe çdo institucion si objekt për t’u sulmuar. Kritika ndaj qeverisë është legjitime; shkatërrimi i autoritetit kushtetues të shtetit nuk është alternativë politike.