Apple fsheh rreth 100 mijë fjalë dhe fraza nga sugjerimet e tastierës së iPhone
Zbulimi i një listës të fshehta të Apple, e cila përmban rreth 100 mijë fjalë dhe fraza që tastiera e iPhone shmang t’i sugjerojë përdoruesve gjatë shkrimit automatik.

Zbulimi është bërë nga një hetim i agjencisë së lajmeve Reuters, i cili ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si kompania amerikane filtron përmbajtjen që u shfaqet përdoruesve. Bëhet fjalë për një të ashtuquajtur “listë gri”, e cila nuk i ndalon përdoruesit të shkruajnë fjalët apo shprehjet e përfshira në të, por pengon shfaqjen e tyre si sugjerime gjatë përdorimit të funksionit të plotësimit automatik ose shkrimit me rrëshqitje të gishtit në tastierë.
Sipas studiuesit Derrick Kaufman, i cili zbuloi listën, kjo praktikë tregon përpjekjen e Apple për të balancuar funksionimin e sistemit të parashikimit të tekstit me shmangien e shprehjeve fyese, vulgare apo politikisht të ndjeshme. Megjithatë, ai paralajmëron se një ndërhyrje e tillë mund të ndikojë në mënyrën se si komunikojnë miliona përdorues, pa qenë ata të vetëdijshëm për këtë.
Në listë janë identifikuar shprehje që lidhen me Trump dhe Biden, si “diktator Trump” dhe “Joe i përgjumur”, një referencë përçmuese ndaj ish-presidentit amerikan Joe Biden. Kufizimet ndryshojnë sipas gjuhës së përdorur në tastierë, duke përfshirë shprehjet që shmangin në versionin hindi dhe hebraik.
Kaufman thekson se çdo gjuhë kryesore ka versionin e saj të kësaj liste, por vë në dukje edhe mospërputhje në mënyrën se si zbatohen kufizimet. Për shembull, tastiera lejon sugjerimin e shprehjes “lexo tekste erotike”, por shmang një variant të saj që i referohet përmbajtjes erotike homoseksuale.
Gjatë kërkimeve, ai zbuloi një skedar të ruajtur në thellësi të sistemit operativ të Apple, ku gjendeshin fjalët dhe shprehjet që nuk shfaqeshin në sugjerimet e tastierës. Sipas vlerësimit të tij, numri i tyre arrin në rreth 100 mijë, pa përfshirë karakteret kineze.
Edhe Reuters kreu testet e veta në një iPhone, duke verifikuar një pjesë të shprehjeve të identifikuara nga studiuesi. Në disa raste, tastiera nuk i sugjeronte fare ato, ndërsa në raste të tjera i zëvendësonte me fjalë të ndryshme. Kështu, përpjekjet për të shkruar “Irlanda e Bashkuar” shpesh përfundonin me sugjerimin “Islanda e Bashkuar”, ndërsa shprehja “Sleepy Joe” zëvendësohej me “shpresë për gjumë”.