Katër vajzat e mitura për dhunën ndaj një 13-vjeçare në Shkup, masa edukative
Gjykata Themelore Penale në Shkup ka përfunduar procedurën ndaj katër vajzave të mitura të akuzuara për dhunën ndaj një 13-vjeçare në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit.

Gjykata Themelore Penale në Shkup ka përfunduar në shkallë të parë procedurën ndaj katër të miturave, të cilat akuzoheshin për dhunën ndaj vajzës 13-vjeçare, raporton Telegrafi. Çështja ka përfunduar në shkallë të parë dhe atyre u është shqiptuar masa edukative institucionale – dërgim në shtëpi edukative, përkatësisht një vit për dy fëmijë dhe tetë muaj për dy të tjerët. Vendimi ende nuk është i formës së prerë dhe aktualisht është në fazën e hartimit me shkrim dhe më pas do t’u dorëzohet palëve. Ngjarja kishte ndodhur në mars të këtij viti, në lagjen Gjorçe Petrov, ku një vajzë 13-vjeçare ishte dhunuar nga bashkëmoshataret e saj. Rasti shkaktoi reagime të shumta në opinion, veçanërisht pasi një pjesë e dhunës ishte filmuar me telefona celularë dhe pamjet më pas ishin shpërndarë në rrjetet sociale. Pas ngjarjes, ndaj katër vajzave të mitura ishin ngritur kallëzime penale për dhunë, ndërsa procedura gjyqësore ishte zhvilluar në përputhje me Ligjin për Drejtësinë për Fëmijët. Vendimi i gjykatës tashmë është marrë në shkallë të parë, por mbetet të shihet nëse do të ketë ankesë nga palët.