Barcelona hap memorialin në Camp Nou, 26 mijë vende për tifozët që duan të mbeten pranë klubit të zemrës
Tifozët e Barcelonës do të kenë mundësinë të qëndrojnë pranë klubit të zemrës edhe pasi të ndërrojnë jetë, pasi gjiganti katalanas ka inauguruar projektin “Memorial FC Barcelona”, një hapësirë e veçantë brenda Camp Nou.

Gjiganti katalanas ka inauguruar projektin “Memorial FC Barcelona”, një hapësirë e veçantë brenda Camp Nou, ku do të mund të vendosen urnat me hirin e tifozëve të ndjerë. Projektin e ka parashikuar krijimin e një memoriali me 26 mijë hapësira për vendosjen e hirit të të ndjerëve. Sipas gazetës britanike The Guardian, çmimet për rezervimin e një vendi variojnë në bazë të kohëzgjatjes. Një vend për 10 vjet kushton 2,490 euro, ndërsa për 50 vjet çmimi është 6,000 euro. Përveç kësaj, do të aplikohet një tarifë vjetore mirëmbajtjeje prej 70 eurosh. Ndërkaq, një vend i përhershëm kushton 10 mijë euro, ndërsa pllaka përkujtimore mund të sigurohet kundrejt një pagese shtesë prej 490 eurosh. Interesi duket të jetë i madh, pasi më shumë se 1,000 tifozë kanë rezervuar tashmë vendin e tyre në memorial. Duke prezantuar projektin, zv.presidentja e klubit për çështje institucionale kujtoi dëshirën e gjyshit të saj, i cili kishte kërkuar që pas vdekjes të prehej pranë stadiumit të Barcelonës. “Kur vdiq shumë vite më parë, ai tha se e vetmja gjë që dëshironte ishte të varrosej pranë stadiumit të Barçës, në mënyrë që të mund të dëgjonte golat edhe në jetën e përtejme. Shumë tifozë ëndërrojnë të njëjtën gjë”, u shpreh ajo. Memoriali do të përbëhet nga katër struktura të mëdha katrore me ndriçim, ndërsa pllakat përkujtimore do të vendosen në një mur xhami me ndriçim LED. Urnat do të ruhen pas një muraleje që do të përkujtojë momentet më të rëndësishme të historisë së klubit. Punimet për ndërtimin e memorialit pritet të nisin në fund të vitit të ardhshëm. Barcelona ka bërë të ditur se të ardhurat nga rezervimet do të përdoren për të mbuluar një pjesë të kostove të rinovimit të Camp Nou. Projektin e memorialit vjen në kuadër të transformimit të madh të stadiumit, i cili është ndërtuar në vitin 1957. Në vitin 2023, Barcelona nisi një projekt për rritjen e kapacitetit të stadiumit nga 99,354 në 105 mijë vende, duke synuar ta bëjë atë një nga stadiumet më të mëdha të futbollit në botë. Megjithatë, kostoja e punimeve, e cila fillimisht ishte parashikuar në 900 milionë euro, tashmë ka arritur në rreth 2 miliardë euro.