Organizata hebraike Chabad-Lubavitch hap qendrën e parë në Shqipëri, vlerëson Besën shqiptare
Organizata hebraike Chabad-Lubavitch ka hapur qendrën e saj të parë të përhershme në Shqipëri, duke vlerësuar traditën e mikpritjes dhe Besën shqiptare që shqiptarët i ofruan hebrenjve gjatë Holokaustit.

Rabini Yossi Fridman, bashkëshortja Etka dhe djali Meir do të vendoset në Shqipëri për të ngritur qendrën e organizatës. Ai e cilësoi Besën shqiptare si një traditë të mbajtjes së premtimit ndaj mikut, pavarësisht rrethanave dhe rreziqeve.
“Koncepti shqiptar i Besës do të thotë ta mbash premtimin ndaj mikut, pavarësisht kostos. Gjatë Holokaustit, shqiptarët e mbajtën atë premtim ndaj popullit hebre. Ne kemi ardhur për të ndërtuar një shtëpi ku çdo hebre që hyn nga dera të trajtohet si pjesëtar i familjes, ashtu siç Shqipëria e trajtoi popullin tonë kur kishte më shumë rëndësi”, tha rabini Fridman.
Shqipëria zë një vend të veçantë në historinë e hebrenjve për shkak të mbrojtjes që shqiptarët u ofruan gjatë Holokaustit. Familjet shqiptare hapën dyert e shtëpive të tyre për hebrenjtë që përndiqeshin, duke i strehuar dhe duke rrezikuar sigurinë e tyre për t’i shpëtuar nga nazistët.
Qendra e re do t’i shërbejë komunitetit hebre vendas dhe turistëve hebrenj që vizitojnë vendin, veçanërisht atyre nga Izraeli. Ajo synon të ofrojë një vend për lutje, ushqim kosher, vakte tradicionale të Shabatit dhe aktivitete të tjera fetare e komunitare.