Dy persona në pranga për vjedhje të mëdha në Durrës
Dy persona janë ndaluar dhe vënë në pranga nga policia në Durrës, pasi u zbulua se kishin vjedhur mbi 30 mijë euro dhe sende me vlerë nga banesa e një shtetasi.

Një operacion policor i koduar "Objektivi" u finalizua në Durrës, ku specialistët për Hetimin e Krimeve në Volum dhe Seksioni për Mbështetjen Operacionale të Hetimit në DVP Durrës arritën të dokumentonin veprimtarinë kriminale të dy autorëve të dyshuar të vjedhjes së banesës së shtetasit A. G. në lagjen nr. 4, Durrës.
Gjatë hetimit, u zbulua se shtetasi A. R. dyshohet si autor i vjedhjes së banesës, nga ku u vjedhën rreth 22 000 euro, 800 000 lekë, ora dore të markave të shtrenjta, bizhuteri të ndryshme, parfume, çanta të markave të shtrenjta dhe sende të tjera me vlerë. Po ashtu, u zbulua se shtetasi A. R. i kishte çuar sendet e vjedhura në banesën e shtetases S. L. në Lushnjë, e cila kishte dijeni për vjedhjen dhe ka bashkëpunuar me këtë shtetas për realizimin e saj.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetases S. L., u gjetën dhe sekuestruan një pjesë e sendeve të vjedhura, ndërsa në banesën e shtetasit A. R. u gjetën dhe sekuestruan mjetet me të cilat ka kryer vjedhjen, maska, çelësa dhe veshjet e përdorura gjatë kryerjes së saj. Policja dhe prokuroria po vazhdojnë punën për gjetjen e pjesës tjetër të sendeve dhe parave të vjedhura, si dhe për dokumentimin me prova ligjore të vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga këta shtetas.