Meta akuzon amerikanët në gjyq dhe mbrohet nga Kryemadhi
Ish-presidenti Ilir Meta, i paraburgosur për tre akuza, përsëriti versionin e tij se hetimi i SPAK-ut ndaj tij është ndikuar nga Charles McGonigal dhe Yuri Kim.

Ish-presidenti Ilir Meta, i paraburgosur për tre akuza, përsëriti versionin e tij se hetimi i SPAK-ut ndaj tij është ndikuar nga Charles McGonigal dhe Yuri Kim. Meta e konsideroi Yuri Kim "armike të përbetuar të Shqipërisë dhe në shërbim të Serbisë". Ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, e mbështeti versionin e Meta, duke thënë se ai po tregon të vërtetën.
Meta shtoi se gjatë kohës që ishte president, ishte kërcënuar nga pesë përfaqësues të ambasadave që të mos dekretonte Marsida Xhaferllarin në Gjykatën Kushtetuese, por një emër tjetër, Arta Vorpsi, në atë kohë pjesë e konfliktit. Kryemadhi, pavarësisht se ish-bashkëshorti përdori distancën e politesës duke e quajtur "zonja", sërish konfirmoi denoncimin e tij.
Meta kërkoi të administroheshin si prova të reja edhe vendimi i fajësisë dhe dënimit të Kastriot Ismailajt, si dhe kërkoi marrjen e dëshmive të tjera në Departamentin e Drejtësisë. "U rikonfirmua i njëjti qëndrim ndaj zotit Meta nuk ka asnjë provë dhe asnjë fakt penal, nuk është sekuestruar asnjë qindarkë e paligjshme dhe asnjë metër katror pasuri. Pra, kemi të bëjmë thjesht me një proces politik, të diktuar nga Edi Rama, i cili e mban qëllimisht në paraburgim, duke e vendosur në kushtet e persekutimit politik", deklaroi Tedi Blushi.
Seanca e radhës mbahet më datë 26 nëntor dhe do të jetë radha e SPAK-ut të deklarojë kundërshtimet, si dhe do të vendoset se si do të vijojë rendi i gjykimit, me administrimin e provave shkresore apo thirrjen e dëshmitarëve.