Samiti i COP31 në Turqi në Rrezik të Dështimit
Negociatat për klimën në samitin e COP31 në Turqi kanë hyrë në një ngërç të paprecedentë, duke rrezikuar arritjen e një marrëveshjeje të përbashkët.

Negociatat për klimën në Antalia të Turqisë kanë hyrë në një ngërç të paprecedentë, duke rrezikuar seriozisht arritjen e një marrëveshjeje në samitin e OKB-së, COP31. Presidenti i konferencës, Murat Kurum, njoftoi se draft-marrëveshja e propozuar nuk u miratua, pasi delegacionet pjesëmarrëse nuk arritën të siguronin konsensusin e nevojshëm.
Arabia Saudite dhe Rusia kanë kundërshtuar ashpër qëndrimet e Bashkimit Evropian, ndërsa Moska i ka cilësuar negociatat si një formë të “larjes së gjelbër”. Edhe lufta në Ukrainë duket se ka ndikuar në klimën e diskutimeve. Ishujt Marshall gjithashtu kundërshtuan marrëveshjen e propozuar, por theksuan se nuk do të heqin dorë nga përpjekjet për një zgjidhje të përbashkët.
Kritika të forta ndaj draft-marrëveshjes ka shprehur edhe Franca. Ministrja për Tranzicionin Ekologjik, Monique Barbie, e cilësoi propozimin e fundit si një hap prapa dhe një pengesë të papranueshme, veçanërisht për shkak të mungesës së një referimi të qartë për largimin nga përdorimi i lëndëve djegëse fosile. Shqetësim për ecurinë e negociatave ka shprehur edhe një zyrtar i Bashkimit Evropian, i cili tha për AFP-në se ekziston një mundësi shumë reale që samiti të përfundojë pa një marrëveshje.
Draft-marrëveshja nuk përmban një thirrje të drejtpërdrejtë për ndërprerjen e përdorimit të naftës, gazit dhe qymyrit. Dokumenti bën vetëm një referencë të kufizuar ndaj marrëveshjes së arritur në COP28 në Dubai, në vitin 2023, kur për herë të parë vendet ranë dakord për një kalim gradual larg lëndëve djegëse fosile. Një tjetër pikë kundërshtie është promovimi i teknologjive për kapjen dhe ruajtjen e karbonit (CCS/CCUS), të cilat mbështeten nga kompanitë e naftës dhe qymyrit.