63 Vite nga Vrasja e John F. Kennedy-t: Atentati që Tronditi Amerikën
Më 22 nëntor 1963, presidenti amerikan John F. Kennedy u vra gjatë një vizite në Dallas të Teksasit, duke lënë pas një mister të thellë dhe teorive konspirative që vazhdojnë të debatojnë.

Më 22 nëntor 1963, Shtetet e Bashkuara dhe e gjithë bota u tronditën nga lajmi për vrasjen e presidentit amerikan John Fitzgerald Kennedy. Kreu i 35-të i Shtëpisë së Bardhë u qëllua për vdekje gjatë një vizite në Dallas të Teksasit, ndërsa udhëtonte me një limuzinë të hapur, pranë bashkëshortes së tij, Jacqueline Kennedy.
Kennedy ishte vetëm 46 vjeç dhe kishte më pak se tre vite në krye të presidencës amerikane. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe ai ishte përballur me disa prej momenteve më të rëndësishme të Luftës së Ftohtë, përfshirë krizën e raketave kubane, ndërsa kishte mbështetur edhe përpjekjet për luftimin e diskriminimit racor në SHBA.
Sot, 63 vite pas atentatit, vrasja e tij vazhdon të mbetet një nga ngjarjet më misterioze dhe më të debatuara në historinë moderne amerikane. Pavarësisht hetimeve zyrtare, pyetjet mbi rrethanat e atentatit dhe mundësinë e një komploti kanë ushqyer për dekada të tëra teori të shumta konspirative.
Atentati në Dallas, momentet e fundit të presidentit, u regjistruan nga Abraham Zapruder dhe u bënë ndër dokumentet filmike më të njohura të historisë amerikane. Lee Harvey Oswald, i dyshuari që u vra para gjyqit, u arrestua si autor i vrasjes, por vrasja e tij nga Jack Ruby bëri që ai të mos dilte kurrë në gjyq dhe të mos jepte versionin e tij për ngjarjen që kishte tronditur Amerikën.
Komisioni Warren arriti në përfundimin se Oswald kishte vepruar i vetëm dhe se nuk kishte prova për një komplot më të gjerë. Megjithatë, përfundimet zyrtare nuk i dhanë fund dyshimeve. Vrasja e Kennedy-t vazhdoi të ishte objekt i hetimeve, studimeve dhe teorive të ndryshme konspirative. Në vitet e fundit, administrata e Donald Trump ka bërë publike dhjetëra mijëra dokumente të klasifikuara që lidhen me atentatin.
John Fitzgerald Kennedy lindi më 29 maj 1917 në Brookline të Massachusetts, në një familje të pasur dhe me ndikim të madh politik. Ai ishte një nga nëntë fëmijët e Joseph dhe Rose Kennedy. Babai i tij, Joseph Kennedy, ishte një biznesmen i suksesshëm dhe shërbeu gjithashtu si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Britaninë e Madhe. Ai investoi shumë në arsimimin dhe përgatitjen e fëmijëve të tij, duke synuar që ata të kishin një rol të rëndësishëm në jetën publike.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai shërbeu në Marinën Amerikane. Në gusht të vitit 1943, ndërsa komandonte anijen torpedo PT-109 në Paqësor, anija u përplas nga një destrojer japonez dhe u nda në dy pjesë. Kennedy arriti të ndihmonte anëtarët e ekuipazhit të mbijetuar, duke luajtur një rol të rëndësishëm në shpëtimin e tyre. Për këtë veprim u vlerësua me disa dekorata ushtarake, përfshirë Medaljen e Marinës dhe Korpusit të Marinës dhe Zemrën e Purpurt.