Atentati që tronditi Amerikën: 63 vjet pas vrasjes së John F. Kennedy
Më 22 nëntor 1963, presidenti amerikan John F. Kennedy u vra gjatë një vizite në Dallas, Teksas, duke lënë pas një mister që vazhdon të debatohet edhe sot.
Më 22 nëntor 1963, Shtetet e Bashkuara dhe e gjithë bota u tronditën nga lajmi për vrasjen e presidentit amerikan John Fitzgerald Kennedy. Kreu i 35-të i Shtëpisë së Bardhë u qëllua për vdekje gjatë një vizite në Dallas të Teksasit, ndërsa udhëtonte me një limuzinë të hapur, pranë bashkëshortes së tij, Jacqueline Kennedy.
Kennedy ishte vetëm 46 vjeç dhe kishte më pak se tre vite në krye të presidencës amerikane. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe ai ishte përballur me disa prej momenteve më të rëndësishme të Luftës së Ftohtë, përfshirë krizën e raketave kubane, ndërsa kishte mbështetur edhe përpjekjet për luftimin e diskriminimit racor në SHBA.
Sot, 63 vite pas atentatit, vrasja e tij vazhdon të mbetet një nga ngjarjet më misterioze dhe më të debatuara në historinë moderne amerikane. Pavarësisht hetimeve zyrtare, pyetjet mbi rrethanat e atentatit dhe mundësinë e një komploti kanë ushqyer për dekada të tëra teori të shumta konspirative.
Lee Harvey Oswald, një ish-pjesëtar i Marines Amerikane, u arrestua si të dyshuar për vrasjen e Kennedy-t. Por çështja mori një tjetër kthesë vetëm dy ditë më vonë, kur Oswald u vra para gjyqit nga Jack Ruby, pronar i një klubi nate në Dallas.
Komisioni Warren, i krijuar për të hetuar atentatin, arriti në përfundimin se Oswald kishte vepruar i vetëm dhe se nuk kishte prova për një komplot më të gjerë. Megjithatë, përfundimet zyrtare nuk i dhanë fund dyshimeve. Vrasja e Kennedy-t vazhdoi të ishte objekt i hetimeve, studimeve dhe teorive të ndryshme konspirative.