Kërcënime me bombë në mbi 400 shkolla në Gjermani
Mbi 400 shkolla në Gjermani kanë marrë kërcënime me bombë mëngjesin e kësaj të hënë, 23 nëntor, përmes email-ve me titull “Ju pret vdekja”.

Mbi 400 shkolla në Gjermani kanë marrë kërcënime me bombë mëngjesin e kësaj të hënë, 23 nëntor, përmes email-ve me titull “Ju pret vdekja”. Mesazhet kanë vënë në lëvizje policinë në disa zona të vendit, ndërsa raste të ngjashme janë raportuar edhe në Danimarkë.
Sipas mediave gjermane, ndër zonat e para ku u raportuan kërcënimet ishin Erfurti, në landin e Turingisë, dhe Freiburgu. Mesazhe kërcënuese janë dërguar edhe në shkolla në Jena, Mülhausen, Nordhausen, Gotha, Rudolstadt dhe Greiz.
Policia e Erfurtit bëri të ditur se disa institucione arsimore kishin marrë mesazhe me përmbajtje identike. “Këtë mëngjes, institucione të ndryshme arsimore kanë marrë të njëjtat mesazhe kërcënuese”, njoftoi policia, duke shtuar se raste të ngjashme janë regjistruar edhe në lande të tjera të Gjermanisë.
Megjithatë, autoritetet gjermane sqaruan se, bazuar në informacionet e deritanishme, kërcënimet nuk konsiderohen të besueshme. Për këtë arsye, policia u ka rekomanduar shkollave të mos kryejnë evakuime dhe të vijojnë normalisht mësimin.
Deri tani nuk ka të dhëna për identitetin e personit apo personave që kanë dërguar mesazhet. Policia ka nisur hetimet për prishje të qetësisë publike përmes kërcënimit për kryerjen e një vepre penale.
Ndërkohë, kërcënime të ngjashme janë raportuar edhe në Danimarkë. Edhe atje, policia i konsideron kërcënimet të pabazuara, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse mesazhet kanë një burim të përbashkët dhe për të identifikuar autorët.
Autoritetet gjermane nuk kanë konfirmuar nëse këto kërcënime lidhen me incidente të tjera të raportuara së fundmi në Europë, përfshirë kërcënimet me bombë ndaj linjave ajrore dhe sulmet kibernetike ndaj sistemeve të ftohjes në supermarkete.