Ukraina konfirmon sulmin në Libi, fundos korvetën ruse dhe godet anije mallrash
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka konfirmuar se Ukraina është përgjegjëse për sulmin me dronë detarë ndaj një anije ushtarake ruse në portin ushtarak të Bengazit, në Libinë lindore, duke fundosur korvetën ruse "Merkury" dhe duke goditur anije të tjera.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka konfirmuar se Ukraina qëndron pas sulmit me dronë detarë ndaj një anije ushtarake ruse në portin ushtarak të Bengazit, në Libinë lindore. Sipas tij, operacioni përfundoi me fundosjen e korvetës ruse, ndërsa u goditën edhe mjete të tjera ushtarake.
Forcat ukrainase përdorën shtatë dronë detarë të prodhimit vendas për të realizuar sulmin, duke synuar korvetën ruse "Merkury", një prej anijeve më të reja të flotës detare të Moskës. Gjatë sulmit, u godit edhe anija ruse e transportit të mallrave MV Angara, për të cilën Zelensky pretendon se përdorej nga Moska për transportimin e armëve. U shkatërrua edhe një helikopter ushtarak i tipit Ka-27.
Zelensky falënderoi Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës (SBU) dhe forcat e tjera të mbrojtjes që morën pjesë në atë që e cilësoi si një operacion shembullor në përgjigje të luftës së Rusisë. Sipas tij, objektivat që kishin përcaktuar u arritën.
Shpërthime të fuqishme u dëgjuan herët të dielën në bazën detare të Bengazit, ndërsa banorët panë flakë dhe tym që ngriheshin nga zona ushtarake. Autoritetet libiane njoftuan nisjen e një hetimi të përbashkët me Rusinë për të zbardhur rrethanat, burimin dhe autorët e goditjes.