Ministri Hoxha dhe homologu grek Gerapetritis rafinojnë marrëdhëniet dypalëshe në Athinë
Ministri i Evropës dhe Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim dypalësh me Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, George Gerapetritis, në Athinë, ku u rikonfirmua partneriteti strategjik dhe dialogu konstruktiv mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Ministri i Evropës dhe Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim dypalësh me Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, George Gerapetritis, në kuadër të takimit të Miqve të Ballkanit Perëndimor në Athinë. Takimi rikonfirmoi rëndësinë e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Greqisë, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe vullnetin e përbashkët për të vijuar dialogun e hapur dhe konstruktiv.
Gjatë takimit, Ministri Hoxha dhe homologu i tij grek diskutuan mbi ecurinë e marrëdhënieve shqiptaro-greke, procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, si dhe zhvillimet rajonale dhe sfidat me të cilat përballet Ballkani Perëndimor. Ata rikonfirmuan rëndësinë e ruajtjes së një dialogu të ngushtë dhe konstruktiv, të mbështetur në respektin e ndërsjellë dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
Ministri Hoxha theksoi se një proces zgjerimi i besueshëm, i bazuar në meritë dhe me vizion për të ardhmen, është thelbësor jo vetëm për transformimin e Ballkanit Perëndimor, por edhe për sigurinë, stabilitetin dhe konkurrueshmërinë afatgjatë të Europës. Ai shprehu gjithashtu mirënjohjen e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë në procesin e anëtarësimit në BE.
Në përfundim të takimit, Ministri Hoxha shprehu kënaqësinë për të mirëpritur homologun Gerapetritis në Shqipëri në një të ardhme të afërt, për të vijuar dialogun dhe bisedimet në interes të të dy vendeve.