Hakeri shqiptar i GTA 6 lë burgun me paralajmërim nga gjykatësi
Arion Kurtaj, hakeri 21-vjeçar shqiptar që sulmoi kompaninë Rockstar Games dhe publikoi pamje nga loja e shumëpritur GTA 6, është liruar nga burgu me kusht pasi ka vuajtur pjesën më të madhe të dënimit prej shtatë vitesh.

Arion Kurtaj, hakeri shqiptar që sulmoi kompaninë Rockstar Games dhe publikoi pamje nga loja e shumëpritur GTA 6, është liruar nga burgu me kusht pasi ka vuajtur pjesën më të madhe të dënimit prej shtatë vitesh. Gjykatësi i dha një paralajmërim të drejtpërdrejtë Kurtajt, duke thënë: "Je një i ri shumë i talentuar. Mos lejo që kjo të ndodhë përsëri".
Kurtaj, pjesëtar i grupit të hakerave Lapsus$, kishte pranuar fajësinë për sulmin ndaj Rockstar Games dhe disa kompanive të tjera, përfshirë Revolut dhe Uber, në kohën kur ishte vetëm 16 dhe 17 vjeç. Sulmi më i bujshëm ishte ai ndaj Rockstar Games në vitin 2022, kur Kurtaj arriti të depërtonte në sistemet e brendshme të kompanisë dhe të vidhte 90 video, me afro 60 minuta pamje nga versioni ende i papërfunduar i GTA 6.
Kompania deklaroi se sulmi i kushtoi rreth 5 milionë dollarë për rikuperimin e dëmeve, si dhe mijëra orë punë nga stafi i saj. Përmes rrjedhjes së informacionit u zbulua gjithashtu për herë të parë se një prej personazheve në GTA 6 do të ishte një grua.
Kurtaj ishte dënuar fillimisht me qëndrim të pacaktuar në një institucion të sigurisë së lartë, për shkak të gjendjes së tij me autizëm dhe vlerësimit të rrezikshmërisë së veprimeve të tij. Më vonë, ai u konsiderua i aftë për t'u gjykuar dhe në janar u transferua në një burg të zakonshëm. Mbrojtja argumentoi se izolimi gjatë pandemisë dhe përfshirja në grupin Lapsus$ i kishin dhënë një ndjenjë përkatësie dhe vetëvlerësimi që i kishte munguar më parë.
Pas lirimit, Kurtaj do të jetojë nën një urdhër pesëvjeçar për parandalimin e krimeve të rënda, i cili i kufizon aktivitetin në internet dhe i ndalon përdorimin e platformave Telegram dhe Discord. Ai kishte pranuar gjithashtu fajësinë për sulme fizike ndaj punonjësve gjatë qëndrimit në paraburgim, ndërsa në burg ishte kapur edhe me një telefon celular, pasi kishte dërguar mesazhe provokuese ndaj policisë dhe kishte publikuar përditësime në Snapchat.