Gjykata e Lartë e Danimarkës mbështet ligjin për "getot" dhe dëbimin e migrantëve
Gjykata e Lartë e Danimarkës ka mbështetur një ligj që synon të integrojë migrantët duke i detyruar të lëvizin nga lagje me përqendrim të lartë të huajsh, duke kundërshtuar një vendim të gjykatës së BE-së që e konsideron këtë ligj si diskriminues.

Gjykata e Lartë e Danimarkës ka vendosur në favor të një shoqate banesash që kishte ndërprerë 91 kontrata qiraje për të shmangur klasifikimin e kompleksit të saj si "geto e ashpër". Ky vendim është në përputhje me qasjen e rreptë të Kopenhagës ndaj imigracionit, synimi i së cilës është për të nxitur integrimin.
Ligji danez kërkon që komplekset e banesave sociale të rindërtohen, rinovohen dhe të ndryshojnë përbërjen sociale nëse në to ka përqendrim të lartë të huajsh. Ligji parashikon që deri në vitin 2030, 60 për qind e apartamenteve të jepen me qira me çmime tregu për banorë që klasifikohen si "perëndimorë".
Roli pionier i Danimarkës në vendosjen e rregullave më të ashpra për imigracionin e ka kthyer atë në model për disa vende të Bashkimit Evropian. Danimarka ishte gjithashtu një nga pesë vendet që javën e kaluar njoftuan synimin për të ngritur në Ruandë një qendër për deportimin e azilkërkuesve, kërkesat e të cilëve janë refuzuar.
Ministri danez i Strehimit, Jacob Mark, e përshëndeti vendimin e Gjykatës së Lartë, duke thënë se ai "forcon sigurinë, kohezionin shoqëror dhe integrimin". Vendimi i Gjykatës së Lartë konfirmoi një vendim të vitit 2022 të një gjykate më të ulët kundër shtatë qiramarrësve, të cilët kishin kundërshtuar dëbimin e tyre nga kompleksi i banesave në Nøjsomhed, në qytetin Helsingør, në veri të Kopenhagës.
Në arsyetimin e saj gjykata vlerësoi se ligji nuk është diskriminues në lidhje me dëbimin e "emigrantëve dhe pasardhësve të tyre nga vendet jo-perëndimore", pasi kriteri nuk bazohet drejtpërdrejt në përkatësinë etnike. Shoqatat e qiramarrësve vlerësojnë se për të respektuar kërkesat e ligjit në të gjithë Danimarkën do të duhet të zhvendosen rreth 11.000 persona.