Turist amerikan vritet në Bangkok nga ish-kampion i arteve marciale
Një turist amerikan 46-vjeçar ka humbur jetën pas një konflikti fizik me një ish-sportistin e arteve marciale mikse (MMA) në një hotel në Bangkok të Tajlandës.

Një turist amerikan 46-vjeçar ka humbur jetën pas një konflikti fizik me një ish-sportistin e arteve marciale mikse (MMA), në ambientet e një hoteli në Bangkok të Tajlandës. Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e së dielës, më 22 nëntor, në zonën Phra Khanong, pasi amerikani u përfshi fillimisht në një debat me punonjësit e hotelit për shkak të zhurmës.
Sipas raportimeve të mediave lokale, viktima, i identifikuar si Kalif Edward Harper, 46 vjeç, nga shteti i Miçiganit, kishte debatuar me recepsionisten dhe dyshohet se e kishte kërcënuar atë. Në këtë moment, në hollin e hotelit mbërriti një shtetas italian 39-vjeçar, Frank Eric Marques, i njohur si ish-sportist MMA dhe kampion në Brazilian Jiu-Jitsu.
Sipas hetimeve paraprake dhe pamjeve të kamerave të sigurisë, amerikani iu drejtua italianit, i cili po shkonte drejt ashensorit. Pavarësisht përpjekjeve të këtij të fundit për t’u larguar, situata u përshkallëzua kur Harper hapi me forcë dyert e ashensorit dhe e tërhoqi atë jashtë. Mes dy burrave nisi një përleshje fizike, gjatë së cilës italiani përdori një teknikë bllokimi të qafës, duke e neutralizuar 46-vjeçarin.
Harper humbi ndjenjat dhe ra në tokë. Punonjësit e hotelit njoftuan menjëherë shërbimet e urgjencës, të cilat mbërritën në vendngjarje dhe kryen reanimimin kardiopulmonar, por pa sukses. Turisti amerikan ndërroi jetë në vend. Pas ngjarjes, 39-vjeçari italian priti mbërritjen e policisë dhe u shoqërua nga autoritetet tajlandeze.
Ai ka deklaruar se veproi në vetëmbrojtje, pasi ishte sulmuar fillimisht nga amerikani. Pamjet e kamerave të sigurisë duket se tregojnë se Harper ishte ai që e nisi përplasjen fizike, megjithatë autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar nëse reagimi i italianit ishte në kushtet e vetëmbrojtjes. Policia e ka ndaluar 39-vjeçarin dhe ka nisur procedimin penal për vrasje. Ekspertët mjekoligjorë po kryejnë ekzaminimet për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.