SHBA duhet të ndryshojë strategjinë për të arritur paqe në Ukrainë
Politologu amerikan Michael Des argumenton se SHBA-ja duhet të ndryshojë rrënjësisht strategjinë e saj për të arritur paqe në Ukrainë, duke kërkuar lëshime territoriale nga Kievi dhe heqjen dorë nga perspektiva e anëtarësimit në NATO.

Lufta në Ukrainë mund të marrë fund vetëm përmes një marrëveshjeje që do të kërkonte lëshime territoriale nga Kievi dhe heqjen dorë nga perspektiva e anëtarësimit në NATO. Ky është qëndrimi i politologut amerikan Michael Des, i cili në një analizë të publikuar në revistën “Foreign Affairs” argumenton se SHBA-ja duhet të ndryshojë rrënjësisht strategjinë e saj, duke ushtruar më shumë presion ndaj Ukrainës dhe duke ofruar stimuj ekonomikë e diplomatikë për Rusinë.
Sanksionet perëndimore dhe ndihma ushtarake për Kievin nuk kanë arritur të ndryshojnë objektivat e Vladimir Putinit. Sipas Des, vazhdimi i luftës rrit rrezikun e një përshkallëzimi më të gjerë dhe kërcënon unitetin e Perëndimit. Ai vë në dukje se që prej vitit 2014, veçanërisht pas pushtimit rus të vitit 2022, Moska është përballur me presion të paprecedentë ekonomik dhe ushtarak.
Des sugjeron që Uashingtoni ta përdorë ndihmën ushtarake si mjet presioni ndaj Zelenskyt, duke kufizuar ose ndërprerë furnizimin me sisteme dhe shërbime të caktuara. Në këmbim, Trump mund t’i ofrojë Moskës lehtësim gradual të sanksioneve ndaj eksporteve të energjisë dhe transaksioneve financiare. Analisti paralajmëron se vazhdimi i luftës rrit rrezikun e një përballjeje më të gjerë mes Rusisë dhe NATO-s, ndërsa kostot ekonomike dhe politike po vënë në provë unitetin e Perëndimit.