Ditarët e Papa Françeskut: Rrëfimet për Djallin dhe Frikën nga Pushteti
Ditarët personalë të Papa Françeskut, të publikuar pas vdekjes së tij, zbulojnë detaje të panjohura mbi jetën e tij shpirtërore, përfshirë një krizë dyvjeçare dhe përjetimet që ai i përshkruante si takime me djallin.

Ditarët personalë të Papa Françeskut, të publikuar pas vdekjes së tij, zbulojnë detaje të panjohura mbi jetën e tij shpirtërore. Shënimet, të mbajtura në periudhën 1992–2024, janë përmblodhur në librin “The Private Diary of Pope Francis”, të publikuar nga kardinali Víctor Manuel Fernández, një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të ish-pontifikut.
Një pjesë e rëndësishme e ditarëve i kushtohet krizës shpirtërore që Papa pëjetoi gjatë viteve 2021–2022. Sipas shënimeve, ajo lidhej me tundimin për të ushtruar pushtetin në mënyrë të tepruar, ndjenjën e vetë-mjaftueshmërisë dhe bindjen se mund të zgjidhte gjithçka vetë. Françesku e lidhte këtë periudhë edhe me presionin e vendimmarrjes, çështjet e qeverisjes së Kishës dhe një gjendje thatësie e boshllëku shpirtëror.
Për të rezistuar këtij tundimi, ai përpiqej të ruante përvuleshinë dhe durimin, duke shmangur trajtimin e njerëzve si mjete për realizimin e qëllimeve të tij. Kardinali Fernández tregon se Françesku kishte refuzuar të largonte nga administrata qendrore e Kishës disa persona që e kritikonin publikisht, pasi nuk dëshironte të sillet si dikush që manipulon të tjerët sipas interesave të veta.
Një tjetër pjesë e ditarëve përqendrohet te përjetimet që Papa i përshkruante si sulme demonike. Sipas shënimeve, ai kishte rrëfyer tri raste kur kishte ndier praninë e djallit: dy gjatë kohës kur ishte kryepeshkop i Buenos Airesit dhe një tjetër në vitin 2018, pasi ishte kthyer nga një vizitë në Kili.
Në një shënim të 24 janarit 2021, Françesku përshkruan një takim në të cilin pretendonte se kishte parë djallin dhe kishte dëgjuar zërin e tij, të cilin e cilësonte triumfues. Ai shkruante se kishte arritur të largohej nga ky “takim” dhe se kjo e kishte çliruar nga ajo përvojë.
Ditarët pasqyrojnë gjithashtu lodhjen e vazhdueshme të Papa Françeskut gjatë viteve të shërbimit. Ai përshkruante periudha kur ndihej i rraskapitur dhe pa mbështetje shpirtërore, ndërsa njihej për ritmin intensiv të punës dhe faktin se nuk merrte pushime jashtë Vatikanit.
Papa Françesku, i lindur Jorge Mario Bergoglio, u zgjodh në krye të Kishës Katolike më 13 mars 2013 dhe ndërroi jetë më 21 prill 2025, në moshën 88-vjeçare, pas një periudhe shtrimi në spital për shkak të pneumonisë së dyfishtë.