Furtunë në majat e pushtetit në Kinë, Xi Jinping nis spastrimet politike
Sekretari i Partisë Komuniste Kineze në Shangai, Chen Jining, ka përfunduar nën hetim për "shkelje të rënda të disiplinës dhe ligjit", duke shënuar një tjetër goditje në fushatën e spastrimeve brenda eliteve drejtuese të Kinës.

Chen Jining, sekretari i Partisë Komuniste Kineze në Shangai, ka përfunduar nën hetim për "shkelje të rënda të disiplinës dhe ligjit". Lajmi u bë i ditur nga agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua dhe televizioni publik kinez, ndërsa njoftimi zyrtar nuk jep detaje mbi akuzat konkrete ndaj 62-vjeçarit.
Hetimi ndaj Chen vjen në një kohë kur autoritetet kineze po vijojnë fushatën kundër zyrtarëve të lartë të Partisë Komuniste. Në Kinë, njoftimet për hetime ndaj drejtuesve të lartë zakonisht pasohen nga muaj të tëra hetimesh dhe mungesë informacioni publik, përpara se të shpallet përjashtimi nga partia dhe të vijojë procesi penal.
Me Chen Jining, numri i anëtarëve të Byrosë Politike që kanë përfunduar në rrjetën e spastrimeve që prej vitit 2025 shkon në katër. Byroja Politike aktuale përbëhet nga 24 anëtarë dhe mori detyrën në Kongresin e Partisë Komuniste në vitin 2022.
Përpara Chen, nga skena politike janë larguar dy gjeneralët He Ueidong dhe Zhang Youxia, si dhe Ma Xingrui, ish-drejtuesi i Partisë Komuniste në rajonin e Xinjiangut. Të gjithë janë përfshirë në fushatën kundër korrupsionit dhe shkeljeve të disiplinës, por edhe në atë që lidhet me besnikërinë ndaj Sekretarit të Përgjithshëm dhe presidentit Xi Jinping.
Rëndësia e hetimit ndaj Chen lidhet edhe me pozicionin që ai mbante në Shangai, një prej qyteteve më të mëdha dhe më të rëndësishme ekonomike të Kinës. Drejtimi i Partisë Komuniste në këtë metropol konsiderohet tradicionalisht një post me peshë të veçantë politike dhe një trampolinë drejt posteve më të larta shtetërore. Kryeministri aktual Li Qiang kishte mbajtur këtë detyrë, përpara se të emërohej në krye të qeverisë kineze.
Hetimi ndaj Chen vjen vetëm një muaj pas mbledhjes së Plenumit të Pestë të Partisë, ku drejtuesit premtuan forcimin e mëtejshëm të disiplinës së brendshme, në prag të Kongresit të radhës, që pritet të mbahet në vjeshtën e vitit 2027.