PD kërkon pezullimin e ligjit për hartën territoriale, zgjedhjet vendore të zhvillohen në 61 bashki
Partia Demokratike ka paraqitur një padi në Gjykatën Kushtetuese kundër ligjit për hartën territoriale, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të tij dhe shqyrtimin me përparësi të çështjes.

Partia Demokratike ka paraqitur një padi në Gjykatën Kushtetuese kundër ligjit për hartën territoriale, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të tij dhe shqyrtimin me përparësi të çështjes. Ky ligj u miratua me 85 vota në Kuvend, por PD pretendon se ka shkelje kushtetuese dhe kërkon që zgjedhjet lokale të mos zhvillohen sipas një territori të ri, por mbi bazën e ndarjes së vjetër administrative.
Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, ka thënë se ligji ka marrë vetëm 82 vota të vlefshme dhe jo 85, pasi thotë se disponon prova se, në vend të deputetes Mirela Kumbaro, ka votuar një punonjëse e administratës, ndërsa deputetët Zegjine Çaushi dhe Tedi Mula kanë marrë mandatin në kundërshtim me procedurat ligjore. Nëse përgatitjet për zgjedhjet nisin mbi bazën e hartës së re territoriale me 46 bashki dhe Gjykata Kushtetuese e shfuqizon më pas ligjin, mund të mos ketë kohë të mjaftueshme për organizimin e tyre në 61 bashkitë ekzistuese.
Pezullimi i ligjit synon të shmangë pikërisht këtë rrezik, duke kërkuar që zgjedhjet vendore të zhvillohen në 61 bashki, siç është ndarja administrative e vjetër. Partia Demokratike kërkon shqyrtimin me përparësi të çështjes, për shkak të interesit të lartë publik dhe afërsisë së zgjedhjeve vendore, të dekretuara për 9 maj 2027.