PD kërkon shtyrjen e afatit të komisionit për Reformën Zgjedhore
Ekspertët e Komisionit të Venecias mbërritën në Tiranë për të ndihmuar palët që të arrijnë konsensus për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, por PD kërkon zgjatjen e mandatit të komisionit.

Në prag të skadimit të afatit të komisionit të Reformës Zgjedhore, ekspertët e Komisionit të Venecias mbërritën në Tiranë për të ndihmuar palët që të arrijnë konsensus për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Fillimisht, Michael Janseen dhe Adrià Rodríguez-Pérez diskutuan në nivel teknik me grupin e ekspertëve të komisionit dhe më pas me dy bashkëkryetarët, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi.
Oerd Bylykbashi akuzoi kryetarin e Kuvendit se kishte keqinformuar përfaqësuesit e Venecias në ftesën e tij. Ai theksoi se demokratët kërkuan zgjatjen e mandatit të komisionit, por përgjigjja e socialistëve ishte negative. Bylykbashi zbuloi përgjigjen e ekspertëve të ODIHR-it, duke theksuar se Parlamenti ka detyrë ta zgjasë këtë mandat për kohën e nevojshme, që bashkë me ODIHR-in dhe Komisionin e Venecias të përfundojmë punën.
Taulant Balla, nga ana tjetër, u përgjigj kërkesës së PD-së, duke thënë se ata e kishin bojkotuar disa herë dhe tani u kujtuan se po mbaron më 30 nëntor. Ekspertët e Komisionit të Venecias nuk ishin të pranishëm kur ndodhi përplasja për Reformën Zgjedhore, por vendosën që klimën që ekziston mes dy partive të mëdha ta dëshmonin personalisht, duke ndjekur për pak kohë zhvillimet nga lozha ku qëndrojnë gazetarët.