Kisha Orthodhokse shpreh shqetësimin për përplasjet në oborrin e Katedrales "Ngjallja e Krishtit"
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka dalë me një reagim zyrtar pas përplasjeve në oborrin e Katedrales "Ngjallja e Krishtit" në Tiranë.

Përshkallëzimi i përplasjeve policore ndaj protestuesve ka prekur sot drejtpërdrejt edhe objektet më të rëndësishme të kultit në kryeqytet. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka dalë me një reagim zyrtar e urgjent pasi pamjet e ngjarjeve në oborrin e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë u bënë publike. Pasi pa skenat e përplasjeve, përdorimit të forcës dhe trazirave brenda perimetrit fetar, Kisha shprehu shqetësimin e saj të thellë dhe bëri thirrje prerazi për ruajtjen e pacenueshmërisë së vendeve të shenjta. “Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, pasi pa pamjet e ngjarjeve në oborrin e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, shpreh shqetësimin dhe bën thirrje të respektohen vendet e saj të shenjta. Ato asnjëherë nuk janë hapësira konflikti e përplasjeje dhe nuk i pranojnë ato. Katedralja “Ngjallja e Krishtit” është vend i shenjtë lutjeje, vend ku kryhen shërbesat e shenjta dhe ku predikohet kultura e paqes. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë bën edhe njëherë thirrje për distancim nga dhuna dhe gjetjen e hapësirës së dialogut.