Bojkoti i mësimit në universitetet publike në Shqipëri, pedagogët mbështesin studentët në protesta
Sindikata e Pedagogëve shpall bojkotin në të gjitha universitetet publike në Shqipëri, në mbështetje të studentëve që protestojnë për arsim cilësor, shëndetësi dinjitoze, siguri për jetën dhe pronën, si dhe llogaridhënie.

Sindikatat e punonjësve të universiteteve kanë vendosur të bojkotojnë mësimdhënien në të gjitha universitetet publike në Shqipëri, në shenjë solidariteti me studentët dhe nxënësit që prej ditësh protestojnë në vend. Bojkoti do të nisë të mërkurën, më 21 tetor, dhe do të vijojë deri në një njoftim të dytë.
Sindikata e Pedagogëve kërkon ndalimin e menjëhershëm të dhunës ndaj studentëve dhe protestuesve paqësorë, një hetim të pavarur dhe transparent për përdorimin e forcës nga 13 tetori e në vijim, si dhe vënien para përgjegjësisë të personave që, sipas saj, kanë urdhëruar ose ushtruar dhunë.
Pedagogët do të mblidhen çdo ditë në orën 10:00 para Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik të Tiranës për të vijuar mbështetjen ndaj studentëve. Sindikalistët u kanë bërë thirrje rektorëve dhe drejtuesve të institucioneve publike të arsimit të lartë që të respektojnë vendimin dhe të mos marrin masa disiplinore ndaj pedagogëve dhe studentëve pjesëmarrës.
Përveç bojkotit të mësimit, sindikata ka njoftuar se pedagogët do të marrin pjesë aktivisht në protestë dhe do të mbajnë komunikim të vazhdueshëm me studentët, t’i ndihmojnë me materiale didaktike dhe nevoja të tjera, si dhe t’i informojnë se orët e humbura të mësimit do të kompensohen më vonë.