Babai i Meghan Markle nën hetim për materiale të abuzimit seksual me fëmijë
Babai i Dukeshës së Sussex, Thomas Markle, është nën hetim për posedimin e materialeve që përmbajnë abuzim seksual me fëmijë. I biri i tij, Thomas Markle Jr., ka denoncuar atë pas zbulimit të qindra imazhe dhe video të paligjshme në banesën e të atit në Filipine.

Babai i Dukeshës së Sussex, Thomas Markle, është nën hetim për posedimin e materialeve që përmbajnë abuzim seksual me fëmijë. I biri i tij, Thomas Markle Jr., ka denoncuar atë pas zbulimit të qindra imazhe dhe video të paligjshme në banesën e të atit në Filipine.
Thomas Markle Jr., 60 vjeç, ka deklaruar se mes materialeve kishte video që dyshohet se përmbanin abuzim seksual me vajza të mitura, si dhe fotografi të tjera me përmbajtje të paligjshme. Ai pretendon se një prej imazheve mund të jetë realizuar në ish-banesën e babait të tij në Rosarito të Meksikës.
I tronditur nga zbulimi, gjysmëvëllai i Meghan Markle ka vendosur të denoncojë të atin tek autoritetet. Sipas gazetës britanike, më 10 korrik ai ka njoftuar policinë, FBI-në, Qendrën Kombëtare për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar, si dhe Policinë Shtetërore të Pensilvanisë.
“Kur e gjeta këtë material, u shokova. Nuk kisha zgjidhje tjetër veçse ta denoncoja babanë tim. E kam mbështetur, jam kujdesur për të dhe e kam ndihmuar për vite me radhë, por kjo mbaron këtu”, deklaroi Thomas Markle Jr. për The Sun.
FBI-ja ka konfirmuar marrjen e denoncimit të Thomas Markle Jr., ndërsa një agjent federal thuhet se ka kërkuar të dhënat e kontaktit të hetuesve që po merren me çështjen në Filipine. Autoritetet filipinase raportohet se ia kanë kaluar çështjen një grupi të posaçëm hetimor, nën mbikëqyrjen e strukturave të specializuara për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve.
Deri më tani, nuk raportohet për ngritjen e akuzave penale ndaj Thomas Markle dhe pretendimet e bëra nga i biri mbeten objekt hetimi. Skandali vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Meghan Markle dhe babait të saj kanë qenë të ndërprera prej vitesh. Dukesha e Sussex nuk ka pasur kontakte të afërta me të atin që prej martesës me Princin Harry në maj të vitit 2018.