Policia arreston tre persona në Burrel për shpërndarjen e kokainës
Policia e Dibrës arreston tre persona për shpërndarjen e kokainës në Burrel, mes tyre një 72-vjeçar. Sekuestrohen drogë, municione dhe një orë "Rolex".

Policia e Dibrës ka arrestuar tre persona për shpërndarjen e kokainës në Burrel. Mes tyre është një 72-vjeçar. Operacioni policor u finalizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mat.
Gjatë kontrolleve fizike dhe atyre të ushtruara në banesat e të dyshuarve, efektivët gjetën dhe sekuestruan 94.70 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 19 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, 13 telefona celularë, dy peshore elektronike, një automjet dhe një orë dore të markës “Rolex”. Të gjitha sendet e sekuestruara do të shërbejnë si prova materiale në hetimin ndaj tre të arrestuarve. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Dibrës për veprime të mëtejshme hetimore, me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale.