13 persona të plagosur gjatë protestës në Tiranë, njëri i dëmtuar në sy jashtë rrezikut për jetën
Protesta në Tiranë, 13 persona të plagosur, njëri i dëmtuar në sy jashtë rrezikut për jetën

Gjatë protestës në Tiranë, 13 persona janë paraqitur për të marrë trajtim mjekësor pas lëndimeve të pësuara. Mes tyre janë protestues, efektivë policie dhe përfaqësues të medias. Në Spitalin Universitar të Traumës, 9 persona janë paraqitur për trajtim, mes tyre 7 protestues dhe 2 përfaqësues të medias. Pesë prej tyre kanë lënë spitalin pasi kanë marrë trajtimin e nevojshëm, ndërsa 4 protestues vijojnë ekzaminimet dhe trajtimin mjekësor. Njëri prej protestuesve është i lënduar në sy dhe po i nënshtrohet ekzaminimeve, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur një protestues dhe një efektiv policie, të cilët kanë lënë spitalin pasi kanë marrë trajtimin e nevojshëm. Dy efektivë policie të lënduar në sy kanë marrë trajtim mjekësor në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 2 në Tiranë dhe janë larguar nga ambientet e poliklinikës pas marrjes së ndihmës mjekësore.