Protestuesja me sy plastikë: Do ua jap policëve, t’u dalë inati me popullin
Një protestuese ka dalë në shesh me sy plastikë për të denoncuar dhunën policore gjatë protestave të studentëve në Tiranë.

Një protestuese ka zgjedhur një mënyrë simbolike për të denoncuar dhunën policore gjatë 13 ditëve të revoltës studentore në Tiranë. Ajo ka dalë në protestë me dy sy plastikë, në shenjë solidariteti me dy të rinjtë që janë plagosur në sy nga plumbat e gomës të përdorur nga policia gjatë demonstratave.
Ky gjest vjen një ditë pas plagosjes së rëndë të Erjon Vishkullit, një prej momenteve më të rënda të protestës së djeshme. I riu është nisur sot drejt Italisë, ku do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale, me shpresën për të shpëtuar shikimin.
Protestuesja e cilësoi të paprecedentë atë që ndodhi një ditë më parë, ndërsa kritikoi mungesën e reagimit nga institucionet dhe denoncoi presionin që, sipas saj, po ushtrohet ndaj qytetarëve.
“Ajo që ndodhi dje është e paprecedentë. Nuk kemi asnjë lloj reagimi nga institucionet. Sot na është bërë presion në të gjitha nivelet. Sot i solla këta sy, se ndoshta ruajmë sytë që kemi dhe t’u japim një palë atyre, se ndoshta u del inati me popullin e tyre”, u shpreh ajo.
Duke komentuar ndërhyrjen e forcave të rendit, protestuesja akuzoi policinë për përdorim joproporcional të forcës dhe për mënyrën e përdorimit të plumbave të gomës.
“Dhuna nuk ka qenë proporcionale. Plumbat e gomës duhet të godasin pjesën e poshtme të gjymtyrëve”, deklaroi ajo.
Protestuesja theksoi se të rinjtë nuk do të tërhiqen nga protesta, pavarësisht presioneve dhe masave ndëshkuese të paralajmëruara nga kryeministri Edi Rama.
“Ne nuk jemi vandalë, por jemi në shesh që të mbrojmë djemtë dhe vajzat që dhunohen. Faturat pastaj le t’i paguajë me paratë që na ka vjedhur”, u shpreh ajo.
Ajo kritikoi gjithashtu thirrjet e kryeministrit për dialog, duke pretenduar se ato bien ndesh me veprimet e policisë ndaj protestuesve.
“Dialog na ofron pasdite, ndërsa pasdite ka terror rrugicave dhe dhunë”, deklaroi protestuesja.