Kuvendi i Kosovës miraton rezolutën për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve
Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve, pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë. Rezoluta parashikon krijimin e një komisioni parlamentar për të hetuar rrethanat e vrasjes dhe përmirësimin e bashkëpunimit mes institucioneve për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 67 vota pro një rezolutë kundër dhunës ndaj grave dhe fëmijëve, pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë. Rezoluta parashikon krijimin e një komisioni parlamentar për të hetuar rrethanat e vrasjes dhe përmirësimin e bashkëpunimit mes institucioneve për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve.
Themelimi i këtij komisioni ishte pika e parë e rezolutës. Dokumenti kërkon forcimin e përgjegjësisë institucionale për parandalimin e dhunës në familje, trajtimin serioz të denoncimeve dhe përmirësimin e bashkëpunimit mes institucioneve për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve.
Rezoluta parashikon gjithashtu krijimin e një linjë këshillimi falas për çifte dhe familjet që përballen me vështirësi, ofrimin e shërbimeve të specializuara për parandalimin e sjelljeve të dhunshme dhe përsëritjes së tyre, si dhe këshillim psikologjik dhe edukim për parandalimin e dhunës që në adoleshencën e hershme.
Megjithatë, jo të gjithë deputetët morën pjesë në votim. Mungesat shkaktuan reagimin e kryetarës së Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila kritikoi ata që, sipas saj, ngritën akuza gjatë debatit, por nuk qëndruan për të votuar rezolutën.
“Të vijne këtu e të hedhin akuza e mos me qëndru në sallë për të votuar, kjo për mua nuk ka asnjë kuptim. Gjithsesi secili deputet le ta ketë përgjegjësinë e vetë”, deklaroi Haxhiu.
Miratimi i rezolutës vjen në një kohë kur vrasjet e grave dhe dhuna në familje vijojnë të ngrenë shqetësimet serioze për sigurinë e viktimave dhe efektivitetin e institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e tyre.