Arrestohet 51-vjeçari që furnizonte protestuesit me lëndë piroteknike të kontrabanduara
Policia e Tiranës ka arrestuar një 51-vjeçar për furnizimin e protestuesve me lëndë piroteknike të kontrabanduara. Në magazinën e tij u gjetën 1853 fishekzjarre, dhe ai nuk dispononte licencë për shitjen e këtyre mallrave.

Në kuadër të operacionit “Fireworks 3”, Policia e Tiranës ka arrestuar një 51-vjeçar për furnizimin e protestuesve me lëndë piroteknike të kontrabanduara. Në magazinën e tij, në zonën e “Tregut Çam”, u gjetën 1853 fishekzjarre. Sipas Policisë, ai nuk dispononte licencë për shitjen e këtyre mallrave dhe as dokumentacion për blerjen e tyre. Mallrat piroteknike janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Nga hetimet paraprake, dyshohet se 51-vjeçari u ka shitur lëndë piroteknike personave të maskuar, të cilët kanë kryer veprime të dhunshme gjatë protesteve të 24 tetorit 2026. Operacioni “Fireworks 3” synon identifikimin dhe ndalimin e personave që dyshohet se furnizojnë pjesëmarrësit në tubimet e kundërligjshme, të përdorura për akte dhune ndaj punonjësve të Policisë dhe dëmtimin e objekteve publike dhe private. Ky është rasti i dytë i evidentuar nga Policia e Tiranës brenda pak ditësh. Një ditë më parë, uniformat blu sekuestruan 47 pako me fishekzjarre në një banesë në rrugën “Zela”, të cilat, sipas hetimeve, shiteshin për qëllime të kundërligjshme. Materialet procedurale për rastin e 51-vjeçarit i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Evidentohet një tjetër ambient ku magazinoheshin lëndë piroteknike të kontrabanduara, me qëllim shitjen pjesëmarrësve në tubime, për kryerjen e veprimeve të dhunshme.