Manjani: Protestuesit që ushtrojnë dhunë do të mbashin përgjegjësi, me maska nuk lejohet të dalësh në protestë
Juristi Ylli Manjani ka komentuar protestat e studentëve në Shqipëri, duke theksuar se në rastet kur protestuesit ushtrojnë dhunë, do të ketë kundërpërgjigje, ndërsa theksoi se ligji nuk lejon pjesëmarrjen në protesta me maska.

Juristi Ylli Manjani, i ftuar në emisionin “Topin e kam unë”, ka komentuar protestat e studentëve në Shqipëri, duke u ndalur te përdorimi i maskave dhe përplasjet me Policinë. Manjani u shpreh se në rastet kur protestuesit ushtrojnë dhunë, do të ketë kundërpërgjigje, ndërsa theksoi se ligji nuk lejon pjesëmarrjen në protesta me maska. “Në qoftë se në një tubim publik, të lajmëruar apo të palajmëruar, nuk ka rëndësi, shfaqen njerëz me maska dhe ushtrojnë dhunë, pa diskutim që do të ketë kundërpërgjigje me dhunë. Sa proporcionale është kjo, unë nuk di ta them, sepse duhet të shoh rastet konkrete dhe faktet konkrete. Ku ka dhunë, pra ku ka përplasje të dhunshme, ka dy mundësi, ose je aty për të ushtruar dhunë dhe do të mbash përgjegjësi për atë që bën, ose nuk je aty për të ushtruar dhunë dhe pastaj sillesh si një langaraq që shkon atje e thotë: ‘Më goditën, më mbani!’ Sillu si burrat atje. Çfarë është kjo sjellje? Po diskutojmë parimin. Parimi është ky, në një përplasje të dhunshme do të ketë dhunë, mor zotëri. Çfarë pret ti?” u shpreh Manjani. “Me ligj, të dalësh në protestë me maska, nuk lejohet”, shtoi Manjani. Deklaratat e tij u kundërshtuan nga studenti Rei, i cili iu referua rregullave të OKB-së për përdorimin e gazit lotsjellës dhe plumbave të gomës nga forcat e rendit. “Nuk është rastësi që vendosen maskat dhe syzet, gjithmonë ka një arsye. Dhe për këto arsye janë marrë edhe burime nga OKB-ja. Pra, dy pjesët më shqetësuese do të jenë gazi lotsjellës dhe përdorimi i plumbave të gomës. Tani do t’u referohem burimeve. Sipas OKB-së, ka rregulla për përdorimin e gazit lotsjellës. Policët e dinë shumë mirë se, për të përdorur gazin lotsjellës apo plumbat e gomës, duhet të respektojnë rregullat përkatëse”, iu përgjigj studenti.