Interi dhe Milani gati për të prezantuar projektin e ri të stadiumit "San Siro"
Interi dhe Milani po përgatiten për të prezantuar projektin e ri të stadiumit "San Siro", një investim i rëndësishëm i rreth 2.3 miliardë eurosh. Projektin e ri do të ketë një kapacitet prej 71.500 spektatorësh dhe do të ketë dy unaza të medha tribunash dhe një ndërtim të theksuar vertikal.

Milano po përgatitet për një nga investimet më të mëdha në historinë e futbollit italian. Interi dhe Milani do të prezantojnë zyrtarisht më 29 tetor projektin e stadiumit të ri, një operacion financiar dhe urbanistik që do të kap vlerën e 2.3 miliardë eurosh dhe do të ndryshojë rrënjësisht zonën ku ndodhet sot stadiumi historik "San Siro".
Nga ky shumë, rreth 708 milionë euro do të shkojnë vetëm për ndërtimin e stadiumit të ri, i cili do të ketë një kapacitet prej 71.500 spektatorësh. Emri i impiantit nuk do të jetë domosdoshmërisht ai i "San Siro"-s, pasi dy klubet parashikojnë ta lidhin me një sponsor komercial, përmes një marrëveshjeje që do të gjenerojë të ardhura shtesë.
Projekti parashikon dy unaza të medha tribunash, me ulëset sa më pranë fushës, ndërsa tribunat pas portave do të kenë një ndërtim të theksuar vertikal. Të gjitha vendet do të mbulojnë nga çati e përherëshme e stadiumit.
Por investimi nuk kufizohet vetëm tek futbolli. Në zonën përreth do të ndërtohen parkime nëntokësore, dyqane, restorante dhe hapësira argëtimi, duke e kthyer kompleksin në një qendër aktivitetesh që do të funksionojë edhe jashtë ditëve të ndeshjeve.
Nga 175 milionë euro për "San Siro"-n, te 708 milionë për stadiumin e ri
Operacioni financiar ka nisur që në nëntor të vitit 2025, kur Interi dhe Milani shpenzuan 175 milionë euro për blerjen e stadiumit ekzistues dhe të sipërfaqeve përreth tij.
Vetëm projektimi i kompleksit të ri llogaritet të kushtojë rreth 99 milionë euro, ndërsa ndërtimi i stadiumit kërkon edhe 708 milionë euro të tjera.
Sipas kalendarit të parashikuar, dy klubet synojnë të përfundojnë procedurat e autorizimit deri në verën e vitit 2027 dhe të nisin ndërtimin përpara përfundimit të atij viti.
Objektivi është që stadiumi të përfundojë në verën e vitit 2031, ose më vonë në fillim të vitit 2032, në mënyrë që Milano të ketë një impiant të ri në dispozicion për Kampionatin Evropian të Futbollit, "EURO 2032", që Italia do ta organizojë së bashku me Turqinë.
Megjithatë, kostoja e stadiumit përbën vetëm një pjesë të faturës së përgjithshme. Projekti përfshin edhe rindërtimin e tunelit Patroclo, për të cilin janë parashikuar rreth 60 milionë euro.
Një shumë tjetër prej 15 milionësh do të përdoret për administrimin dhe sigurinë e kantierit, pasi punimet do të zhvillohen ndërkohë që stadiumi ekzistues do të vazhdojë të qëndrojë pranë tij. Për testimet dhe kontrollet përfundimtare të impiantit të ri janë rezervuar edhe 6 milionë euro.
"San Siro" do të shembet, 115 milionë euro vetëm për prishjen e stadiumit historik
Pjesa më e debatueshme e projektit lidhet me fatin e stadiumit aktual "San Siro", një nga impiantet më të njohura të futbollit evropian.
Pas përfurimit të stadiumit të ri, të dy klubet parashikojnë të nisin shembjen e pjesës më të madhe të strukturës ekzistuese. Operacioni do të kërkojë rreth 115 milionë euro dhe do të zgjasë afërsisht dy vjet.
Nga stadiumi historik do të ruhen vetëm pjesë të sektorëve blu dhe portokalli, ndërsa pjesa tjetër do të i nënshtrohet shembjes.
Kjo ndërhyrje do të kërkojë largimin e një sasi të konsiderueshme inertesh dhe organizimin e transportit të tyre me kamionë, duke e kthyer prishjen e San Siros në një operacion të veçantë ndërtimor.
Por edhe pas shembjes së stadiumit të vjetër, investimi nuk do të përfundojë.
Interi dhe Milani kanë parashikuar edhe 371 milionë euro për rikualifikimin e zonës dhe ndërtimin e kompleksit tregtar që do të shoqërojë stadiumin e ri.
Sipas planit aktual, të gjitha ndërhyrjet duhet të përfundojnë deri në vitin 2036. Kjo do të thotë se transformimi i plotë i zonës së "San Siro"-s do të vazhdojë për disa vite edhe pas zhvillimit të "EURO 2032".
Si do të sigurohen 2.3 miliardë eurot? Bankat hyjne në financimin e projektit
Interi dhe Milani nuk parashikojnë ta financojnë investimin vetëm me kapitalin e tyre. Dy klubet kanë zgjedhur një skemë financimi të projektit, të njohur si project financing, që kombinon kapitalin e pronarëve me kredi bankare.