"Kongresmenët amerikanë kërkojnë sanksione për zyrtarët shqiptarë në SHBA"
Dy kongresmenët republikanë amerikanë, Joe Wilson dhe Keith Self, kanë kërkuar sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, të përdorë nenin 7031(c) për të ndaluar hyrjen në SHBA të zyrtarëve shqiptarë që janë përfshirë në korrupsion madhor.

Qeveria e Edi Rama po përballon një goditje tjetër politike nga Washingtoni. Dy kongresmenët republikanë kanë kërkuar administratën amerikane të shqyrtojë shpalljen "non grata" të zyrtarëve shqiptarë që janë përfshirë në korrupsion madhor, duke kërkuar përdorimin e nenit 7031(c), dispozitës së njohur edhe në Shqipëri për sanksionimin e Sali Berishës nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Lajmi është publikuar nga televizioni amerikan Fox News, i cili raporton se kongresmenët Joe Wilson dhe Keith Self kanë dërguar një letër sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke ngritur alarm për gjendjen e demokracisë, korrupsionin dhe sundimin e ligjit në Shqipëri.
Në letrën e datës 22 tetor 2026, dy republikanët kanë kërkuar që Departamenti i Shtetit të përdorë kompetencat për kufizimin e vizave ndaj zyrtarëve që janë përfshirë në korrupsion madhor. Masa mund të përfshijë edhe familjarët e tyre të afërt.
"Po ju shkruajmë për të shprehur shqetësimin tonë për gjendjen e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Republikën e Shqipërisë, një aleat i NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë në reformën e drejtësisë në Shqipëri dhe kanë interes të madh për suksesin e saj. Ngjarjet e fundit tregojnë se përparimi është i brishtë dhe, në fusha këtë, rrezikon të zhbëhet", thuhet në letrën drejtuar Rubios.
Kongresmenët kanë kërkuar shprehimisht aktivizimin e mekanizmit të sanksioneve që lejon Departamentin e Shtetit të ndalojë hyrjen në territorin amerikan të zyrtarëve të huaj që janë përfshirë në korrupsion madhor.
Bëhet fjalë për nenin 7031(c) të ligjit amerikan për financimin e Departamentit të Shtetit dhe operacionet e jashtme, mbi bazë të të cilit në maj 2021 u shpall "non grata" edhe ish-kryeministri Sali Berisha, së bashku me familjarët e tij.
Tani, dy kongresmenët kanë kërkuar që ky mekanizëm të zbatohet ndaj zyrtarëve shqiptarë që janë përfshirë në korrupsion, pa dallim përkatësish politike.
Në dokumenti theksohet se institucionet kundër korrupsionit nuk mund të kenë sukses nëse drejtuesit politikë mbrojnë zyrtarët që janë objekt i hetimeve.
"Institucionet shqiptare kundër korrupsionit nuk mund të kenë sukses kur drejtuesit politikë mbrojnë zyrtarët që ato hetojnë. Prandaj ju bëjmë thirrje të përdorni kompetencën e Departamentit sipas nenit 7031(c) të ligjit vjetor për financimin e Departamentit të Shtetit, Operacioneve të Jashtme dhe Programeve të Ngjashme", thuhet në letrën.
Kërkesa nuk kufizohet vetëm tek zyrtarët e hetuar për korrupsion. Kongresmenët kanë kërkuar që shqyrtimi të përfshijë edhe ata që kanë përdorur pozitat shtetërore për të penguar hetimet e SPAK.
Ky është një nga paralajmërimet më të drejtpërdrejta të dokumentit, pasi dy ligjvënësit amerikanë e lidhin luftën kundër korrupsionit jo vetëm me veprimet e zyrtarëve të dyshuar, por edhe me ndërhyrjet politike për t'i mbrojtur ata nga drejtësia.
Sipas Fox News, shqetësimi i kongresmenëve është shtuar në një kohë kur Shqipëria po përballon me protesta të gjera kundër qeverisë Rama. Prej javësh, studentët dhe qytetarët kanë dalë në rrugë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, llogaridhëniet për korrupsionin dhe respektimin e institucioneve demokratike.
Media amerikane raporton për përplasjet mes protestuesve dhe policisë.