Rasti i Arlinda Zekajt: 11 zyrtarë të Policisë së Kosovës pezullohen
Policia e Kosovës ka pezulluar 11 zyrtarë policorë në lidhje me trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Policia e Kosovës ka pezulluar 11 zyrtarë policorë në lidhje me mënyrën se si është trajtuar rasti i Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Ndaj tyre ka nisur një hetim paraprak nga Inspektorati Policor i Kosovës për të shqyrtuar veprimet ose mosveprimet e tyre gjatë trajtimit të rastit.
Mes zyrtarëve të pezulluar janë drejtuesi i përkohshëm i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, shefi i hetimeve rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i Stacionit Policor të Pejës, si dhe drejtues të tjerë të sektorëve të hetimit dhe operativës. Masa prek gjithashtu komandantin e nënstacionit policor në Vitomiricë dhe katër hetues policorë të Stacionit Policor të Pejës.
Policia e Kosovës bëri të ditur se pezullimet janë kryer me rekomandim të Inspektoratit Policor dhe synojnë të mundësojnë zhvillimin e hetimeve të pavarura, si dhe të përcaktojnë përgjegjësitë individuale për trajtimin e rastit. Institucioni theksoi se do të bashkëpunojë me organet përkatëse gjatë hetimit.