Taksa e pronës do të ndryshojë sërish, rritje e shkallës për apartamentet bosh në Tiranë dhe vila
Qeveria do të ndryshojë sërish shkallën e taksës për pronë në projektligjin për pasuritë e paluajtshme, sipas konsultimeve publike në muajin nëntor 2025. Shkalla e taksës së ndërtimit në projektligj u propozua të rritet në intervale nga 0.1 deri në 0.2%.

Qeveria do të ndryshojë sërish shkallën e taksës për pronë në projektligjin për pasuritë e paluajtshme, sipas konsultimeve publike në muajin nëntor 2025. Shkalla e taksës së ndërtimit në projektligj u propozua të rritet në intervale nga 0.1 deri në 0.2%. Burime zyrtare konfirmuan për Monitor se sërish Ministria e Financave do të ndërhyjë, duke rritur shkallën e taksës për pronat rezidenciale. Burimet sqaruan se edhe propozimet e reja do të kufizohen me intervale, për të cilat ende nuk ka vlera konkrete të percaktuara.
Rishikimi i shkallës së taksës për banesat e dyta u paralajmërua nga Kryeministri Edi Rama në prezantimin e pikave kryesore të paketës fiskale. “Një super-taksë prone për ata që blenë dhe mbajnë apartamente bosh, duke refuzuar të japin me qera (është e drejta e tyre, po duhet të paguajnë njësoj siç po blenë në disa vende të tjera të Evropës që po përballen me koston e rritur të apartamenteve); një super-taksë prone për vila në bregdet, edhe ata duhet të paguajnë më shumë për pronën e tyre dhe një çmim i shumëfishuar për ujin e pishinave”, pohoi kryeministri Rama.
Pavarësisht rishikimit të shkallës me rritje nga propozimi fillestar, qeveria nuk parashikon të ndryshojë formulën për llogaritjen e tatimit. Pra për banesën e pare do të vijojë të aplikohet zbritja e 50% të vlerës së pronës si e patatueshme, por që kjo vlerë nuk duhet të kalojë një prag, vlera e të cilëve percaktohet sipas bashkive. Pragu maksimal i zbritjes është propozuar të ndahet në 7 kategori bashkësh. Në kategori të pare është vendosur Bashkia e Tiranës me një prag të patatueshëm maksimal deri në 8.4 milion lekë, nga 4.5 milion lekë që u propozua në draftin e mëparshëm.
Ndërsa për pronat e dyta, projektligji nuk parashikon zbritje. Pra e theksuar ndryshe apartamenti apo vila do të taksohet për të gjithë vlerën e saj me shkallët e reja të taksimit që pritet të ndryshohen nga propozimet fillestare. “Për banesat e tjera nuk do të zbatohet kjo lehtësi dhe taksë llogaritet mbi bazën e vlerës së tyre të plotë të taksueshme”, ka sqaruar më herët Drejtoria e Taksës së Pasurisë për Monitor.
Edhe prej këtyre ndryshimeve më të prekurit do të jenë pronarët e banesave të dyta, të vilave në bregdet apo të apartamenteve që qëndrojnë bosh në Tiranë, që mund të jenë prona që mbahen nga ndërtuesit. Deri në dyfishim taksash për 3 milionë ndërtesa për banim, shembujt.