Kombëtarja e vajzave në Grupin B1, mësohen skuadrat me të cilat do të përballet
Kombëtarja shqiptare e vajzave është vendosur në grupin B1 të UEFA Women’s Nations League 2027 dhe do të përballet me Serbinë, Belgjikën dhe Rumaninë.

Kombëtarja shqiptare e vajzave mësuoi kundërshtaret për edicionin e ri të UEFA Women’s Nations League 2027. Pas shortit të hedhur këtë të martë në Nyon të Zvicrës, Shqipëria është vendosur në grupin B1, ku do të përballet me Serbinë, Belgjikën dhe Rumaninë. Faza e ligës të kompeticionit do të zhvillohet me sistem vajtje-ardhje, ku çdo skuadër do të luajë nga një ndeshje në shtëpi dhe një në transfertë ndaj secilit prej kundërshtarëve të grupit. Ndeshjet e fazës së grupeve do të zhvillohen në tri dritare ndërkombëtare gjatë vitit 2027. Dy ndeshjet e para janë programuar nga 23 shkurti deri më 6 mars, dy takimet e radhës nga 13 deri më 24 prill, ndërsa dy sfidat e fundit do të luhen nga 7 deri më 15 qershor. Në Ligën B marrin pjesë 16 kombëtare, të ndara në katër grupe me nga katër skuadra. Fitueset e katër grupeve sigurojnë ngjitjen në Ligën A për fazën kualifikuese të Kampionatit Europian 2029. Skuadrat që renditen në vendin e dytë në grupet e Ligës B do të luajnë në tetor 2027 ndeshje vajtje-ardhje me skuadrat që përfundojnë në vendin e tretë në grupet e Ligës A. Fitueset e këtyre përballjeve do të luajnë në Ligën A, ndërsa skuadrat e eliminuara do të mbeten në Ligën B. Edhe skuadrat e renditura në vendin e tretë në Ligën B do të kenë mundësinë të ruajnë kategorinë përmes ndeshjeve të play-off-it. Dy skuadrat me renditjen më të mirë do të përballen me dy skuadrat e renditura më mirë në vendin e dytë në Ligën C. Fitueset do të luajnë në Ligën B, ndërsa humbëset do të zbresin në Ligën C. Dy skuadrat e tjera të vendit të tretë dhe katër skuadrat e renditura në vendin e fundit do të bien direkt në Ligën C. Ndeshjet e play-off-it për ngjitje dhe rënie do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje nga 4 deri më 12 tetor 2027, ndërsa shorti për këto përballje është parashikuar më 18 qershor 2027.