1200 policë në terren për protestën e studentëve, autobotët ujë hedhës në gatishmëri
Studentët kanë paralajmëruar një protestë për ditën e sotme, ndërkohë që 1200 policë janë angazhuar për të garantuar rendin dhe qetësinë publike.

Studentët kanë paralajmëruar një protestë për ditën e sotme, në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit. Ende nuk dihet itinerari që do të ndjekin protestuesit dhe as mënyra se si do të zhvillohet tubimi, pasi një javë më parë situata u tensionua në disa momente. Ndërkohë, gazetarja Anila Hoxha bën me dije se në planin e masave për protestën e sotme janë angazhuar 1 200 efektivë policie. Në këtë plan përfshihen Forcat e Rendit, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilat do të pozicionohen pranë institucioneve, si dhe automjetet policore ujë hedhëse. Edhe komisariatet e Policisë së Tiranës kanë angazhuar agjentët e tyre për garantimin e rendit dhe të qetësisë publike, në përputhje me planifikimin ditor të shërbimeve policore.