Prodhuesit evropianë rrezikojnë të humbasin konkurrencën me Kinën deri në vitin 2030
Prodhuesit evropianë mund të heqin dorë nga përpjekjet për të konkurruar me kompanitë kineze deri në vitin 2030, nëse vazhdojnë tendencat aktuale të tregut.

Prodhuesit evropianë mund të heqin dorë nga përpjekjet për të konkurruar me kompanitë kineze deri në vitin 2030, nëse vazhdojnë tendencat aktuale të tregut. Kjo paralajmërim vjen nga Jens Eskelund, presidenti i Dhomës së Tregtisë së Bashkimit Evropian në Kinë, i cili ngre shqetësimin për të ardhmen e industrisë evropiane dhe rrezikun e humbjes masive të vendeve të punës.
Sipas tij, kompanitë evropiane po përballen me vështirësi për të konkurruar me prodhuesit kinezë, veçanërisht në sektorët e automobilave, kimikateve dhe teknologjisë së energjisë së rinovueshme. Eskelund vlerëson se Europa mund të detyrohet të ndryshojë strategjinë e saj ekonomike, duke u lejuar kompanive vendase të bëhen pjesë e zinxhirit kinez të furnizimit, në vend që të trajtojnë prodhuesit e Kinës vetëm si rivalë.
Ai e përshkruan këtë ndryshim me kalimin nga modeli "Prodhuar në Kinë për Kinën" drejt një filozofie të re: "Në Kinë, për botën", ku kompanitë evropiane mund të prodhojnë në bashkëpunim me partnerët kinezë dhe të përfitojnë nga rrjetet e tyre globale të shpërndarjes.
Sipas një raporti të Goldman Sachs, të cilin i referohet Eskelund, eksportet kineze mund të ulin Prodhimin e Brendshëm Bruto të Bashkimit Evropian me 0.5% deri në fund të dekadës, ndërsa ndikimi për Gjermaninë mund të arrijë deri në 0.9%.
Konkurrenca kineze po ndihet veçanërisht në industrinë gjermane të automobilave. Prodhues si BYD, Geely dhe SAIC Motor po forcojnë praninë e tyre në tregun evropian, ndërsa kompanitë tradicionale përballen me rënien e shitjeve dhe fitimeve në Kinë.
Një nga shembujt e fundit është BMW, e cila raportoi një rënien prej 22% të shitjeve në tregun kinez gjatë nëntë muajve të para të vitit 2026, ndërsa paralajmëroi sërish për fitimet dhe planet për shkurtimin e 8 mijë vendeve të punës.
Eskelund thekson se kjo situatë nuk duhet të konsiderohet e papritur, pasi strategjia e Kinës për të reduktuar varësinë nga importet dhe për të forcuar prodhimin vendas është ndjekur prej vitesh.
Plani i fundit pesëvjeçar i Pekinit për periudhën 2026-2030 parashikon investime dhe zhvillim në fusha si inteligjenca artificiale, robotika, teknologjia e gjelbër, bioprodhimi, kompjuterët kuantikë dhe komunikimi 6G.
Sipas tij, rreziku për Evropën nuk lidhet vetëm me humbjen e konkurrueshmërisë industriale, por edhe me pasojat sociale që mund të sjellë dobësimi i prodhimit vendas. Këto përfshijnë papunësinë masive, tkurrjen e bazës tatimore, rritjen e shpenzimeve sociale dhe dobësimin e komuniteteve që varen nga industria.
Në këtë kontekst, kreu i Dhomes së Tregtisë së BE-së në Kinë u bë thirrje institucioneve evropiane të angazhohen në dialog me Pekinin, për të krijuar kushte ku bashkëpunimi tregtar të sjellë përfitime për të dyja palët.
Ai argumenton se për disa kompani evropiane, përfshirja në zinxhirit kinez të furnizimit mund të jetë mënyra për të ruajtur konkurrueshmërinë në tregjet globale, edhe në kushtet kur rivaliteti i drejtpërdrejtë me prodhuesit kinezë po bëhet gjithnjë e më i vështirë.