Bisedimet Ukrainë-Rusi në Abu Dabi përfunduan pa rezultat të qartë
Bisedimet dyditore mes Ukrainës dhe Rusisë në Abu Dabi kanë përfunduar pa të dhëna të qarta mbi rezultatin e tyre.

Bisedimet dyditore mes Ukrainës dhe Rusisë, të zhvilluara në Abu Dabi me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, përfunduan sot pas një takimi që zgjati më pak se dy orë, dhe pa të dhëna të qarta mbi rezultatin e tyre. Asnjëra palë nuk ka konfirmuar nëse në këto negociata u arrit ndonjë përparim. Këto ishin bisedimet e para të drejtpërdrejta mes përfaqësuesve rusë dhe ukrainas që nga shkurti dhe pjesë e përpjekjeve të reja të administratës amerikane për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Paralelisht, po në Abu Dabi u zhvilluan edhe konsultime me përfaqësues të Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë, NATO-s dhe Bashkimit Europian, të cilat ishin të ndara nga bisedimet trepalëshe mes SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë. Më herët, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky qe shprehur se Moska ka ngritur pretendime që ka tashmë në duart e saj edhe gjysmën e territorit të Donbasit që aktualisht kontrollohet nga Ukraina. “Rusët thonë se tashmë kanë pushtuar gjysmën e Donbasit që ende kontrollohet nga ne. Ekipi ynë iu përgjigj: ‘Nuk e dime se nga dilni me pretendime të tilla. Kemi pamje filmike, fotografi dhe dëshmi të tjera që tregojnë se këto territore janë ende nën kontrollin tonë’”, u shpreh Zelensky. Mospërputhjen mes pretendimeve të dyja palëve, ai e përshkroi si një nga pengesat kryesore në negociata, duke shtuar se shefi i Kremlinit, Vladimir Putin, “jeton në një realitet tjetër”. Përpjekjet diplomatike sakaq nuk e ndalën vrullin e sulmeve. Rusia ndërmori goditje të reja sulme me dronë ndaj disa rajoneve të Ukrainës, duke shkaktuar dëme në infrastrukturën energjetike, ndërtesa banimi, shkolla dhe kopshte fëmijësh.