Stacioni i trenit i hekurudhës së Tiranës-Rinas-Durrës do të ndodhet 500 metra larg aeroportit
Stacioni i trenit i hekurudhës së Tiranës-Rinas-Durrës do të ndodhet 500 metra larg aeroportit, duke krijuar një problem për pasagjerët që do të duhet të përshkojnë distancën deri në terminal.

Stacioni i trenit i hekurudhës së Tiranës-Rinas-Durrës do të ndodhet 500 metra larg aeroportit, duke krijuar një problem për pasagjerët që do të duhet të përshkojnë distancën deri në terminal. Ky ndryshim është rezultat i një vendimmarrjeje e Hekurudhës Shqiptare e mbështetur nga Ministria e Infrastrukturës.
Në dokumentet ekskluzive që Top Channel ka siguruar, shihet se stacioni i trenit i hekurudhës së Tiranës-Rinas-Durrës do të ndodhet në kilometrin 5+128, ndërsa në projektin ekzistues fundi i linjës ishte parashikuar në kilometrin 5+800. Kjo do të shkurtojë segmentin hekurudhor me rreth 672 metra.
Hekurudha Shqiptare konsideron këtë shkurtim si një vendimarrje të mirë që do ti kursente buxhetit të institucionit fondet për t’u përdorur për nevoja të tjera. Sidoqoftë, shqetësuese është distanca e konsideruar vetëm për rastin e udhëtarëve me karroca dhe invalidëve.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka mbështetur këtë ndryshim, duke thënë se është gjatësi e pranueshme e lëvizjes se këmbësorëve, në rastin e udhëtarëve me karroca, invalidëve dhe me valixhe. Ajo që bie në sy në dokumentacion është se institucionet shtetërore janë kujdesur të përcaktojnë kushtet financiare dhe afatet e zbatimit, por jo një zgjidhje përfundimtare dhe të detajuar për transportin e pasagjerëve deri në terminal.
Ky ndryshim ka sjellë edhe shqetësimin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, por ata na bëjnë të ditur se janë në dijeni të problematikës dhe po bashkëpunojnë me Hekurudhën Shqiptare dhe palët e tjera për të vlerësuar ndikimet e këtij ndryshimi dhe për të identifikuar një zgjidhje të përshtatshme që garanton një lidhje të sigurt dhe efikase për pasagjerët midis stacionit hekurudhor dhe terminalit të aeroportit.