Fermerët në Libofshë po braktisin mbjelljen e grurit për shkak të kostove të larta dhe mungesës së tregut
Fermerët në Libofshë, një zonë tradicionale bujqësore në Myzeqe, po heqin dorë nga kultivimi i grurit për shkak të kostove të larta dhe mungesës së tregut. Kostot e prodhimit, çmimi i plehrave kimike dhe mungesa e ujit për vaditje po i çojnë fermerët drejt humbjeve.

Fermerët në Libofshë po përballen me tkurrjen e sipërfaqeve të mbjella me grurë. Kostot gjithnjë e më të larta të prodhimit, çmimi i plehrave kimike, mungesa e ujit për vaditje dhe pasiguria për shitjen e prodhimit po i detyrojnë fermerët të heqin dorë nga kultivimi i grurit. Sipërfaqet e mbjella pritet të reduktohen sërish me 10 deri në 15 për qind këtë vit.
Fermerët tregojnë se gruri blihet me rreth 22 mijë lekë kuintali, ndërsa vetëm punimi i tokës kushton 15 mijë lekë për dynym dhe frezimi 12 mijë lekë. Kultivimi i grurit është kthyer në një aktivitet me humbje, duke i detyruar disa prej tyre të punojnë vetëm për të mos i lënë tokat pa mbjellë.
Për një pjesë të fermerëve, situata është bërë aq e vështirë sa kanë vendosur t’i lënë tokat djerrë. Problematikë mbetet edhe infrastruktura vaditëse dhe kulluese. Fermerët ankohen se nuk kanë ujë për vaditje, ndërsa kanalet janë të mbushura dhe të amortizuara.
Fermerët shprehen se po e shqyrtojnë mundësinë për të mos mbjellë më grurë as këtë sezon. Ata thonë se në zonë kanë mbetur kryesisht të moshuarit dhe se kostot e larta, përfshirë edhe çmimin e farës, nuk u japin mundësi të përballojnë shpenzimet. Fermerët kërkojnë ndërhyrjen e shtetit përmes ngritjes së pikave publike të grumbullimit, ku prodhimi të blihet me çmime të përcaktuara dhe fermerëve t’u garantohet një treg i sigurt.