Ministria e Infrastrukturës ndryshon fshehtas projektin e hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës
Ministria e Infrastrukturës ka ndryshuar fshehtas projektin e hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës, duke zhvendosur stacionin fundor jashtë territorit të aeroportit dhe duke krijuar një problem të ri për pasagjerët.

Ministria e Infrastrukturës ka ndryshuar fshehtas projektin e hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës, duke zhvendosur stacionin fundor jashtë territorit të aeroportit dhe duke krijuar një problem të ri për pasagjerët. Dokumentet ekskluzive të Top Channel tregojnë se ky problem nuk është një pasojë e paparashikuar e projektit, por një vendimmarrje e Hekurudhës Shqiptare e mbështetur nga Ministria e Infrastrukturës.
Stacioni i ri i hekurudhës do të ndërtohet në kilometrin 5+128, ndërsa në projektin ekzistues fundi i linjës ishte parashikuar në kilometrin 5+800. Kjo do të shkurtojë segmentin hekurudhor me rreth 672 metra. Hekurudha Shqiptare konsideron këtë shkurtim si një vendimmarrje të mirë që do ti kursente buxhetit të institucionit fondet për t’u përdorur për nevoja të tjera.
Sidoqoftë, ky ndryshim ka sjellë edhe shqetësimin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila është bashkëfinancuese e projektit. BERZH ka deklaruar se është në dijeni të problematikës dhe po bashkëpunon me Hekurudhën Shqiptare dhe palët e tjera për të vlerësuar ndikimet e këtij ndryshimi dhe për të identifikuar një zgjidhje të përshtatshme që garanton një lidhje të sigurt dhe efikase për pasagjerët midis stacionit hekurudhor dhe terminalit të aeroportit.
Pyetja që Hekurudha Shqiptare dhe Ministria e Infrastrukturës ende duhet t’u përgjigjen qytetarëve është kush do t’i transportojë pasagjerët deri në terminal dhe me çfarë kostoje?