U kap me doza kokainë që do i shiste, pranga 41-vjeçarit në Fier
U kap një 41-vjeçar në Fier me doza kokainë që do ta shiste, ndërsa ishte dënuar dy herë për të njëjtën veprimtari.

Një operacion i Policisë në Fier, u finalizua me arrestimin në flagrancë të një 41-vjeçarit, i cili ishte i dënuar dy herë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, e kapën në flagrancë shtetasin e quajtur E. R., i cili ishte në qarkullim me automjet në qytetin e Fierit. Gjatë kontrollit në automjet dhe kontrollit fizik ndaj tij, u gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike Kokainë, një pjesë e ndarë në doza, gati për shitje. Sekuestrohen një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë (një pjesë e saj e ndarë në doza), 1 automjet dhe 1 celular. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.